Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor “VERSACE”. Arrestohehen dy shtetas, njëri prej tyre kreu i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale. Sekuestrohen tre armë zjarri dhe municion luftarak. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar, kreu i një grupi të strukturuar kriminal dhe pas një pune të mirë organizuar, nga Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u finalizua me sukses Operacioni Policor “VERSACE”,  si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë dhe Xh.M., 35 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë. Operacioni u zhvillua në lagjen “Demokracia“ në Qytetin e Mamurasit, ku në momentin e kapjes, shtetasve A.S dhe Xh.M, u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip GLOCK së bashku me 4 karikatorë me 60 fishekë luftarak, si dhe 1 armë zjarri pistoletë TT model 54, së bashku me dy karikatorë me 15 fishekë. Për shtetasin A. S., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Penal të vitit 2017 ka caktuar masën e sigurise “Arrest në burg” për veprën penale ” Vrasja në rrethana të tjera të cilesuara” mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Po kështu shtetasit  A.S., i kanë mbetur dhe 2 vite e 6 muaj  për të vuajtur dënimin në bazë të vendit të gjykatës së Apelit dhënë në vitin 2018, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri, 75 fishekë luftarak, një sasi parash, dy automjete dhe 8 aparate celular. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të kryer nga shtetasi A.S dhe grupi kriminal që ai drejton. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Vlorë – Finalizohet një tjetër operacion policor i koduar “Velçë”, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Sekuestrohet një armë zjarri, një sasi e vogël lëndë narkotike, si dhe asgjësohen disa fidanë narkotikë të kultivuar në territorin përreth banesës së 54-vjeçarit, i cili është vënë në pranga. Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Strukturat e Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë DVP Vlorë se në fshatin Velçë, një shtetas kishte kultivuar fidanë në territorin e banesës së tij, menjëherë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Velçë”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G.J., 54 vjeç. Nga kontrolli i banesës dhe këqyrja e territorit përreth, shërbimet e policisë kanë konstatuar të mbjella disa fidanë narkotikë, si dhe në vijim të kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.5 kilogramë cannabis sativa dhe një armë zjarri automatik model 56.Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Krujë – Finalizohet me sukses një tjetër operacion policor i koduar “Arrameras”, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Operacioni nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me Shërbimet e DVP Durrës dhe Forcën e Posaçme Operacionale. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin e tentativës për kultivim të bimëve narkoitke dhe informacioneve të marra në rrugë operative së në fshatin Arrameras dy banorë kishin kultivuar fidanë narkotikë, Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, kanë zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Arrameras”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit I.S., 55 vjeç, banues në Arrameras, Krujë dhe L.S., 61 vjeç, banues në Arrameras, Krujë. Arrestimi i tyre u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesave së tyre, janë gjetur të kultivuara fidanë të dyshuar narkotikë canabis sattiva, si dhe një sasi lënde narkotike në banesën e shtetasit L.S, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Porodina”. Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet në flagrancë një shtetas pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Porodina”, si rezultat i të cilit u bë bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh.B, 25 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se ky shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet, shërbimet e policisë e kanë lokalizuar në lagjen nr.1, në Korçë dhe kanë ndaluar për kontroll automjetin që drejtohej nga ky shtetas, ku gjatë kontrollit fizik dhe në automjet Policia gjeti dhe sekuestroi një shkop gome. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë, të cilat i mbante pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Rinas – Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana, arreston në Rinas një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”. Arrestohet në hyrje për në Shqipëri 40-vjeçari, i dënuar nga drejtësia italiane me 12 vjet burg. Shërbimet e Komisariati të Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas verifikimeve të imtësishme të bërë në sistem të të dhënave të 40-vjeçarit, i cili kishte ndërruar gjeneralietet me qëllim shmangien e dënimit në Itali, kanë bërë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi në Itali të shtetasit shqiptar Domi Vuksani alias Nikel Vuksani, 40 vjeç, lindur në Shkodër. Shtetasi Domi Vuksani ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në vitin 2014, pasi Gjykata e Firences/Itali e ka dënuar me 12 vjet burg për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”.

Komisariati i Policisë Nr.5, Tiranë – Një tjetër i kërkuar bie në prangat e Policisë. Ndalohet një person i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Nga Sektori për Krimet e Hapura pranë Komisariatit të Policisë nr.5 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas një punë të mirëorganizuar u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim S. M. 46 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në lagjen “Tre Herojntë”, Shkodër. Për këtë shtetas, Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimi, pasi dyshohet se në Zall-Herr, Tiranë më datë 02.05.2019 ka vjedhur një sasi prej 100.000 lekësh të reja në lokalin e shtetases S.Z dhe më pas është larguar me mjetin e tij. Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar në flagrancë, 8 janë ndalur dhe 65 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 4 shtetas në kërkim: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, 1 në Kukës.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Durrës; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Dhuna në familje”, në qarkun Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në qarkun Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 3 në Vlorë, 1 në Dibër, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 7 raste, në qarkun Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.