Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë/Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit, procedohen penalisht 3 shtetas. Në pranga dhe 1 shtetas për veprën penale Kultivimi i bimëve narkotike“. Në vijim të punës dhe kontrolleve të shtuara për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, u konstatua se në lagjen “Qeriba Derri”, Vlorë në lokalin e administruar nga shtetasi S. B., u gjetën dhe u sekuestruan 2 pajisje elektronike ku dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, duke fshehur të ardhurat me qëllim mosdeklarimin e tyre. Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. B., 35 vjeç dhe S. D., 22 vjeç ( i punësuar në lokal), për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjithashtu nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara”, shtetasi E. M., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit në ambientet e një lokali, në lagjen “Isa Boletini”, në tavolinën ku qëndronte ky shtetas u gjet dhe u sekuestrua 1 pajisje elektronike ku dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Himarë, arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., banues në Borsh, Himarë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të stanit të tij, në vendin e quajtur Mastrogunë, Borsh, u gjetën të kultivuara fidan të dyshuar cannabis sativa. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lushnjë – Bashkëpunimi me qytetarët parandalon vjedhjen e një automjeti në Lushnjë. Tentoi të vidhte automjetin e një shtetasi, por falë reagimit në kohë të Policisë arrestohet në flagrancë autori, me precedent penal në fushën e vjedhjes së pronës. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjeti që tentoi të vidhte autori dhe veglat me të cilat ai tentoi të kryente vjedhjen. Në vijim të veprimeve hetimore, Policia zbardhi dhe një rast të vjedhjes së një tjetër automjeti në Lushnjë, po nga ky shtetas. Gjatë mesnatës, pas telefonatës së ardhur në Sallën Operative se në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, po vidhej një automjet, menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes dhe kapjen e autorit. Falë punës së mirorganizuar, shërbimet e Policisë Lushnjë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të autorit që po tentonte të vidhte automjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit E. Rr. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Sh., 28 vjeç, banues në Durrës, (i dënuar më parë për vjedhje). Ky shtetas është autor i dyshuar edhe i vjedhjes së automjetit tip “Ford” në pronësi të shtetasit G. A., ngjarje e ndodhur në datë 08.09.2021 në fshatin Lumth, Lushnjë. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të kryera nga ky shtetas. Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë.
Gjirokastër – Kryente manovra të rrezikshme në rrugë me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar, vihet në pranga 44-vjeçari. Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasin J. H., 44 vjeç, banues në Gjirokastër. Shtetasi J. H. në lagjen “Granicë”, Gjirokastër, duket drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Benz” kryente manovra të rrezikshme në rrugë, gjithashtu nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar. Materialet në ngarkim të shtetasit J. H. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Q. Sh., 25 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, shtetasin e mësipërm i cili ishte duke lëvizur me mjetin tip “Volkswagen” dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte. Drejtuesi i mjetit, nuk iu është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 25-vjeçari dyshohet se kundrejt shpërblimit 300 euro iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Elbasan dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për shkatërrim prone me zjarr, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 2 në Shkodër.
Janë evidentuar 3 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Berat dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë një shtetas, për shkatërrim prone, dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, 1 për “Prishja e qetësisë publike” dhe 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, në Vlorë.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 14 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.