Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 17 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Servisi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Operacioni nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me agjentët e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Fier. Vihen në prangat e Policisë, 2 shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kokainë.  Sekuestrohen 2 pako me lëndë narkotike kokainë, 3 aparate celulare dhe 1 automjet. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike të forta, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier finalizuan operacionin policor të koduar “Servisi”.  Në afërsi të një servisi, në lagjen “Liri”, Fier, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar  automjetin tip “Benz” me të cilin po qarkullonin shtetasit L. (L). M dhe V. K. Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 108 gramë lëndë narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit L. (L). M., 32 vjeç dhe V. K., 32 vjeç, të dy banues në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cultural Heritage”. Operacioni policor i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve te Paligjshme në DVP Tiranë. Sekuestrohen rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve,  në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cultural Heritage”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 61 vjeç, banues në rrugën “Ali Demi”, për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme. Në bashkëpunim me specialistët dhe ekspertët e Institucioneve të Specializuara në Ministrinë e Kulturës vijon puna për inventarizimin e këtyre objekteve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Vlorë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Reshat Bendo 36 vjeç, banues në Vlorë, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 17.06.2021, e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”. Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasi R. R., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka goditur me mjet prerës, gjyshin e tij, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, shtetasin P. K., 61 vjeç, banues në Orikum, Vlorë, pasi dyshohet se ushtronte aktivitetin si taksist, pa dokumentacionin përkatës, duke fshehur të ardhurat që përfitonte nga ky aktivitet. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht shtetasit I. S., 41 vjeçe, banuese në Konispol, Sarandë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi është konstatuar duke kryer punime, pa lejen e organeve kompetente; L. H., 44 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi nuk i është bindur udhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar automjetin; A. L., 43 vjeç, banues në lagjen nr.2 Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, sepse ka thyer xhamin e automjetit në pronësi të shtetases G. Q., banuese në Delvinë. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Vlorë, pasi më datën 15.03.2022, ka bërë kallëzim shtetasja e mitur R. Sh., 16 vjeçe, se e kanë kanosur me disa foto, në rrjetet e saj sociale. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi S. Z., 37 vjeç, banues në fshatin Resulaj, bashkia Selenicë, se në mënyrë të vazhdueshme është ofenduar dhe kanosur për jetën, nëpërmjet telefonit, nga një person i panjohur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Në fshatin Fratar, Mallakastër, në lokalin e shtetases L. D., 39 vjeçe, kanë marë një sasi parash. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 11 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”,2 prej tyre kallëzime në qarkun Vlorë, për zbardhjen e të cilave, si dhe identifikimin e autorëve po punohet intensivisht nga strukturat përgjegjëse të DVP Vlorë, dhe 1 rast në Tiranë; 1 rast i “Përndjekja”, 2 raste të “Fyerja” në Elbasan dhe Vlorë, si dhe 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, me 1 person të ndaluar në Lezhë dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë në Berat, Lushnjë dhe Shkodër.

Në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” është arrestuar në flagrancë një shtetas. Gjithashtu, në Tiranë është arrestuar një shtetas në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Janë evidentuar 9 raste për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 7 prej tyre në Tiranë, 1 rast në Vlorë dhe Lezhë. Autorët po procedohen të gjithë në gjendje të lirë edhe për veprën penale bashkëshoqëruese “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, autorët e të cilëve po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Për veprën penale “Vjedhja” janë evidentuar 16 raste, 8 prej të cilave në qarqet Tiranë, Elbasan dhe Korçë, ndërsa për 8 prej tyre strukturat e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 13 raste të ndërtimit pa leje, për të cilët, të gjithë subjektet po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e Krimit Ekonomik janë evidentuar 4 raste, prej të cilëve 2 në Dibër, 1 në Berat dhe 1 në Fier.

Në qarqet Tiranë dhe Vlorë janë proceduar penalisht, në gjendje të lirë, 4 shtetas për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Janë evidentuar gjithashtu 3 raste të veprës penale “Mashtrimi”dhe 2 raste të veprës penale “Shpërdorim detyre”. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste, në qarkun e Tiranës, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara”. Shtetasit e ngarkuar për këtë vepër penale po procedohen të gjithë në gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë një shtetas për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, si dhe një tjetër po procedohet në gjendje të lirë për këtë vepër.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 2 të tjerë që po procedohen penalisht në gjendje të lirë.

Janë bërë 2 kallëzime pranë komisariateve të Beratit dhe Vlorës, me objekt veprën penale “Ndotja e ujërave”.

Në Vlorë, një shtetas është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas për “Shkatërrim prone”.

Janë proceduar penalisht, në gjendje të lirë 4 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, me 5 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, si dhe 2 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.