Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor “Jewellery”. Operacioni për goditjen e personave që vidhnin me forcë nga qafa varëset e floririt. U vidhnin me forcë varëset e floririt nga qafa grave të moshuara në hyrje të pallateve, por falë operacionit të zhvilluar kapen dhe ndalohen dy autorët. Njëri prej autorëve, person në kërkim me masë sigurie “Arrest në burg” për vjedhje, për llogari të Komisariatit të Policisë Kavajë. Zbardhen 7 vjedhje me forcë të varëseve të floririt, të kryera nga këta shtetas. Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve me forcë të bizhuterive grave të moshuara, zbardhjen e disa ngjarjeve të ndodhura më parë, dhe kapjen e autorëve, pas një punë të mirëorganizuar hetimore dymujore, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për dy shtetas të cilët kryenin këto vjedhje, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Jewellery”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:E. T., 34 vjeç banues në fshatin Arapaj, Durrës, A. G., 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Vjedhja”. Këta shtetas në mesditën e datës 10.12.2019 në lagjen Nr. 16, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në hyrje të pallatit i kanë marrë me forcë një varëse floriri shtetases I. T., 68 vjeçe dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip “Opel” që e përdornin për të realizuar vjedhjet. Nga veprimet hetimore të kryera duke përdorur edhe metodat proaktive rezultoi se po këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë dy muajve të fundit kanë realizuar disa vjedhje të varëseve në lagje të ndryshme të qytetit dhe konkretisht: Më datë 12.12.2019, në lagjen Nr. 5, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases P. G., 64 vjeçe; Më datë 04.11.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e floririt të shtetases D. M., 66 vjeçe; Më datë 27.10.2019, në lagjen Nr. 13, Plazh, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases F. T., 67 vjeçe; Më datë 23.10.2019, dyshohet se i kanë vjedhur varësen e floririt shtetases H. A., 68 vjeçe; Më datë 15.10.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases T. B., 71 vjeçe; Më datë 10.10.2019, në Rrashbull, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases V. H. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti tip “Opel” që e përdornin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni “Reagimi”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, falë ndihmës dhe bashkëpunimit me qytetarët. Tentoi të vidhte në dy automjete, por falë njoftimit të bërë nga banorët dhe reagimit në kohë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 që patrullonte në territor, u kap dhe u arrestua në flagrancë 25-vjeçari. Zbardhen dhe 5 vjedhje të tjera të automjeteve, si dhe dy vjedhje lokalesh, të kryera nga ky shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës sendet e vjedhura dhe aksesorë të ndryshëm, të cilat autori i përdorte për të kryer vjedhjet. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. Ll., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Shtetasi Xh. Ll u kap dhe u arrestua në flagrancë në bulevardin “Bajram Curri” në tentativë për të vjedhur në 2 automjete të parkuara pranë një pallati. Në momentin që kishte thyer xhamat trekëndësh të dy automjeteve një banor ka njoftuar Policinë. Falë reagimit të shpejtë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2 që patrullonte në territor, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi. Nga hetimet paraprake rezultoi se ky shtetas ka vjedhur në pesë automjete të ndryshme, në një kompleks pallatesh në Tiranë, duke përvetësuar sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, po ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes në dy lokale, njëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe tjetri në rrugën “Lavdie Petrela”, Tiranë, territor që mbulohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë, në ngarkim të shtetasit Xh. Ll.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, në Tiranë dhe 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 3 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë, 3 në Elbasan dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 2 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Berat.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.