Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Bashkëpunimi me komunitetin vë në pranga një shtetas që mbante të fshehur armë zjarri në banesë. Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë me 15 fishekë. Specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, pas informacioneve të marra nga qytetarët se një person mbante të fshehur armë zjarri në banesë, kanë organizuar menjëherë punën dhe si rezultat arrestuan në flagrancë shtetasin M. N., 60 vjeç, banues në Shkopet, Kurbin. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e proves materiale një armë zjarri pistoletë pa leje dhe 15 fishekë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Peqin – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Progër”. Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Komisariatit Peqin. Sekuestrohen rreth 21 kg lëndë narkotike kanabis. Vihen në pranga 4 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Komisariatit Peqin, mbi bazën e informacionit të marrë në rrugë operative kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Progër”. Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë shtetasit V. A., 25 vjeç, A. A., 19 vjeç, I. A., 22 vjeç dhe S. S., 30 vjeç, të katër shtetas banues në Peqin. Gjatë operacionit, në një banesë të banesë të pabanuar, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 21 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Në afërsi të banesës u kapën në flagrancë 4 shtetasit e lartpërmendur, të cilët do merrnin lëndën narkotike. Nga veprimet e para hetimore rezulton se në këtë veprimtari kriminale është i përfshirë edhe shtetasi M.P., i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Policia vijon punën për idetifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Kavajë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Çiklisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 125 gr heroinë, lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, biçikletë dhe sende të tjera. Në pranga një 45-vjeçar. Seksioni për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative finalizoi operacionin policor të koduar “Çiklisti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. M., 45 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas gjatë momentit që po qarkullonte me biçikletë në lagjen Nr. 3 Kavajë është ndaluar nga shërbimet e Policisë dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur disa doza me heroinë. Në vijim është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku janë gjetur doza të tjera me heroinë, një sasi lekësh e sende të tjera. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 125 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 36 700 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, biçikletë, 2 aparate celulare, 2 karta banke dhe një peshore elektronike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Tiranë – Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P Tiranë, në bashkëpunim me punonjësit e policisë të Komisariatit Rajonal Rrugor dhe shërbimet e policisë së Komisariatit Vorë u bë arrestimi për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” i shtetasit A. SH., 19 vjeç, banues në Rinas,Tiranë. Ky shtetas në rrethrrotullimin e Rinasit është ndaluar nga shërbimi i qarkullimit dhe ka rezultuar pa leje drejtimi. Më pas gjatë kontrollit fizik të ushtruar në xhepin e majtë të xhupit iu gjetën doza me lëndë narkotike Cannabis Sativa me peshë 19.4 gr, të cilat së bashku motoçikletën e tij u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga Komisariati i Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës” i shtetasit A. Q., 40 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtje pa leje. Ky shtetas ka kanosur dhe goditur punonjësit e policisë të cilët kryenin shërbim në afërsi të një zone në Tiranë.
Nga Komisariati i Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, i shtetasit R. B., 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjes. Ky shtetas i ka vjedhur portofolin dy shtetaseve, të cilat ishin punonjëse pranë 2 qëndrave spitalore në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua vlera monetare e vjedhur në portofolë.
Nga Seksioni i O.PGJ-ve në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” i shtetasit S. K., 44 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas duke drejtuar automjetin e tij në rrugën “Berluskoni” ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin F. L., 39 vjeç, banues në Valias i Ri, Tiranë.
Nga Komisariati i Policisë Nr. 2 filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” i shtetasit XH. D., 28 vjeç banues në Tiranë. Ky shtetas në rrugën “Frederik Shiroka” ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojrave të fatit. Gjatë komtrollit të ushtruar në lokalin në administrim të tij u gjetën dhe u sekuestruan 2 tavolina pokeri dhe 3 njësi kompjuterike. Materialet proceduarale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 27 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 4 në Tiranë dhe 1 në Berat; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuiar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, konkretisht: 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, 1 në Dibër dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në qarkun Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 3 në Vlorë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.