Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kapshticë – Policia Kufitare në Kapshticë parandaloi një rast të tentativës për transfertë të parave në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen 32.000 euro dhe procedohet penalisht poseduesi i tyre, pasi nuk i deklaroi në kufi. Shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim e koordinim të veprimeve me shërbimet doganore dhe ato të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në sajë të forcimit të kontrolleve, kanë evidentuar dhe goditur një rast të transfertave të parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit. Pas analizës së riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, shtetasit V. M., 50 vjeç, i cili u paraqit në dalje të Republikës së Shqipërisë si këmbësor, iu gjetën në çantën personale 32.000 euro të padeklaruara nga ana e tij, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, të cilët i referuan materialet hetimore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Durrës – Ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu arrestohet në flagrancë një 41-vjeçar që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit: B. Z., 63 vjeç, banues në fshatin Zall, Krujë, pasi Prokuroria e Rrethit Krujë i ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Përndjekja”, sepse ka përndjekur shtetasen S. K. dhe F. Z., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, sepse më datë 21.07.2019 ka kanosur shtetasin A. P. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motorin tip “Suzuki”, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Dibër – Policia e Dibrës, plan masash për parandalimin dhe goditjen e veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve. Gjatë 2 javëve të para të muajit qershor janë goditur 7 raste të krimeve mjedisore, konkretisht 6 raste të ndërtimeve të paligjshme dhe 1 rast i prerjes së paligjshme të pyjeve. Procedohen penalisht 7 shtetas dhe sekuestrohet lëndë drusore. Strukturat e DVP Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur 7 raste. Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit: U. C., B. XH., S. M., banues në Bulqizë, Q. L., S. D., SH. P., banues në Dibër, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar objekte, pa lejen e organeve përkatëse. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi F. G., banues në Dibër, pasi u kap duke transportuar 7 m3 lëndë drusore, me automjetin tip ifa, pa dokumentacionin përkatës. Lënda drusore dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Ndërtim i paligjshëm”. Policia e Dibër do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Tiranë – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 24-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Todi Shkurti”, gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Nj. K., 24 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Nj. K. i janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 6 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 7 shtetas, dy prej të cilëve ishin shpallur në kërkim, si edhe u procedua penalisht një shtetas tjetër. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasin R. L., 24 vjeç, pasi në Kamzë, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa. Po nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 30 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe u procedua penalisht shtetasi A. H., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, pasi në Rrugën e Dajtit, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shetasin A. H. dhe pasagjer shtetasin A. Z., i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, u gjet dhe u sekuestrua një dozë e vogël me kokainë. Ndërkohë, nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S., 34 vjeç, sepse pranë ish-Fushës së Aviacionit, gjatë kontrollit fizik iu gjetën një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar dhe një armë e ftohtë (thikë), të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. S., 31 vjeç, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka kundërshtuar dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj një punonjësi të Policisë Rrugore. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Gj., 55 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në rrugën “Don Bosko”, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit Z. S., 58 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale ”Dhuna në familje” dhe O. X., 47 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

OFL, 16 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E. Gj., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim” dhe G. P., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”, “Vjedhja e bankave, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 7 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Tiranë, me  autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Korçë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, në Tiranë, ku është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 13 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.