Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë
Kurbin – vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet një tjetër shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Shërbimet policore të Komisariatit Kurbin, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirëorganizuar në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar H.I., 44 vjeç, banues në Kurbin. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata në Padova/Itali ka lëshuar Urdhrin e kërkimit ndërkombëtar nr. 6731, për veprat penale “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura” parashikuar nga nenet 61, 5, 7, 110, 648 dhe 624 të Kodit Penal Italian.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 22 janë arrestuar në flagrancë, 3 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 1 në PKK Rinas, i ekstraduar nga Sllovenia, i dënuar për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave”; 1 në qarkun Elbasan, i dënuar për veprën penale “Kanosja”; 1 në PKK Rinas, i dënuar për veprën penale “Shkelje e ligjit për lëndët narkotike dhe armëmbajtje pa leje”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Korçë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Vlorë, 1 në Dibër, 1 në Lezhë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Durrës, 1 në Berat, 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 20 raste, konkretisht: 4 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Fier, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Për 12 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autoreve.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Elbasan, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, 2 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Berat, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrimi i pronës”, në qarkun Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Berat, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku 1 autor është ndaluar dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.