Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “INSPEKTORATI”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër. Nuk ushtruan kontroll konform ligjit për mbrojtjen e territorit, përpiluan akte administrative fiktive dhe favorizuan dy shtetas për të kryer ndërtim pa leje në një hapësirë publike, ndalohen nga Policia, kryeinspektori dhe 3 inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. hpallet në kërkim policor ish-kryeinspektori, procedohen penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për lejimin e ndërtimeve pa leje, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër kanë ushtruar kontrolle të pandërprera në terren për këtë qëllim dhe kanë goditur disa raste. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, në vijim të punës hetimore për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërdorimit të detyrës,  në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, kanë finalizuar me sukses operacioni policor të koduar “Inspektorati”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve: F. R., 33 vjeç, banues në Arras, Dibër, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër; J. O., 32 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër; Sh. I., 51 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër; A. C., banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. XH., 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër. Ndalimi i shtetasve të lartpërmendur dhe shpallja në kërkim e shtetasit E. XH., u bë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë me detyrë të ngarkuar për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e territorit në juridiksionin e bashkisë Dibër, nuk kanë ushtruar kontrollin konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara, duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B. Po në vijim të hetimeve për dokumentimin e plotë të këtij rasti, ka nisur procedimi penal dhe për shtetasit B. Sh., 62 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtor i DPKZHT-së bashkia Dibër, A. C., 29 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Kontrollit Territorit dhe E. Sh., 41 vjeç,  banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, pasi kanë lëshuar leje rikonstruksioni për shtetasin Sh. B. dhe nuk kanë kryer procedurën përkatëse për ushtrimin e kontrollit në territor për zbatimin e lejes së lëshuar. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Berat – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet autori i dyshuar. Shërbimet e Policisë Berat, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Osmëzezë, Berat, kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasin I. S., 53 vjeç, banues në Osmëzezë, pasi gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij u gjetën kubikët me fidanë të dyshuar cannabis sativa.    Gjithashtu, po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat u bë arrestimi i shtetases F. D., 33 vjeçe, banuese në Berat, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Skënderbeg”, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Lezhë. Vihen në pranga 4 shtetas, njërit prej tyre posedonte dhe armë zjarri. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe lëndë narkotike. -Strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, në Skënderbeg dhe Lalm Lukaj, Lezhë. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Z. D., banues në Lalm Lukaj, Lezhë, pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike cannabis sativa tek stani i tij, në Lalm Lukaj, Lezhë. -Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Gj., banues në lagjen “Skënderbeg” Lezhë, pasi në bahçen e tij iu gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar canabis sativa. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. -Gjithashtu, në vijim të operacionit, Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë kishte siguruar informacione në rrugë operative, për shtetas që shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla, në Shëngjin, Lezhë. Pas lokalizimit dhe ndalimit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e këtyre shtetasve gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe një sasi lekësh të dyshuar të përftuar nga ky aktivitet kriminal. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve F. N., 17 vjeç dhe L. T., 17 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijojnë kontrollet për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri me vete, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Finalizohet operacioni i koduar “Shkëmbi i Kavajës”. Kapet dhe ndalohet një 21-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë”, “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Forcat “Shqiponja”, në vijim të punës për rritjen e parametrave në qytet, kapjen e personave në kërkim ose atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, rreth orës 01:30 të ditës së sotme, në lagjen nr. 13, te “Shkëmbi Kavajës”, kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit policor të koduar “Shkëmbi i Kavajës”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 21 vjeç, banues në Durrës. Aktualisht, ndaj shtetasit A. M. janë caktuar 2 urdhër-arreste për 2 ngjarje të ndodhura më parë, konkretisht: Për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi më datë 02.07.2018, në Durrës, ka plagosur me armë zjarri shtetasin B. G; Për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi  më datë 20.09.2020, në Tiranë, ka plagosur me armë zjarri shtetasin S. B. Gjithashtu, për këtë shtetas ishte caktuar dhe urdhër-ndalimi, pasi ishte në kërkim për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja nga urdhrit të punonjësit të Policisë”. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, 5 fishekë dhe 4 aparate celulare.   Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 101 penalisht shtetas, konkretisht: 15 janë ndaluar, 29 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Berat, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 8 raste, 3 raste në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, 1 në Berat, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Lezhë, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”,1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Lezhë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi” dhe 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Po në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe 1 për “Goditje për shkaka të detyrës”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në Fier është proceduar 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.