Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kamzë – Policia parandalon vjedhjen me armë të një marketi. Finalizohet operacioni policor “Laknasi”. Kapet në flagrancë 20-vjecari, i cili po planifikonte të vidhte me armë në një market, në Laknas. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, kapjen dhe arrestimin e personave që tentojnë të kryejnë vjedhje me dhunë e armë, në orët e mbrëmjes së datës 13.02.2020, Seksioni i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se në Laknas, një shtetas 20-vjeçar qarkullonte në orët e pasdites, me biçikletë, duke mbajtur me vete një çantë shpine, brenda së cilës dyshohej se mund të kishte armë zjarri. Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Laknasi”. Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe identifikimin e shtetasit të dyshuar, i cili qarkullonte me një biçikletë dhe në çantën e shpinës kishte një armë zjarri kallashnikov. Në momentet që ky shtetas po përgatitej të hynte në një market në Laknas, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e prangosur në flagrancë shtetasin K. K., 20 vjeç, banues në Laknas. Gjatë kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se ky shtetas mund të jetë autor edhe i disa tentativave të tjera për vjedhje me armë, të ndodhura më parë në Tiranë. Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Fier, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 2 në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 17 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 2 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 14 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Dibër dhe 1 në Vlorë.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 2 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.