Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 prill 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kakavijë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”. Të arrestuarit, të ndëshkuar edhe më parë, disa herë, me masa administrative, për kalim të paligjshëm të kufirit. Këta shtetas ishin paraqitur më parë në PKK Kakavijë dhe pasi janë njohur nga Policia Kufitare me rregullin se duhet të vetëkarantinoheshin 14 ditë me shpenzimet e tyre, nuk kanë pranuar të hyjnë në territorin shqiptar e janë larguar përsëri në tokën greke dhe më pas kanë hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit të gjelbër, ku dhe janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare. Nisur dhe nga situata aktuale e pandemisë, këta shtetas përbëjnë rrezik potencial në përhapjen e pandemisë duke shmangur me veprimet e tyre detyrimet që u lindin në bazë të kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve ngjitëse në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër i arrestuan në flagrancë shtetasit G. K., 29 vjeç, banues në Berat, J. K., 27 vjeç, banues në Kuçovë dhe O. B, 20 vjeç, banues në Vlorë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Janë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin T. GJ., punonjës i Patrullës së Përgjithshme, pasi duke drejtuar mjetin e Policisë, rreth orës 19:00, të datës 13.04.2020, në rrugën “Gok Doçi” është përfshirë në aksident me këmbësorin e mitur, shtetasin K. B., 8 vjeç, banues në Tiranë. Si pasojë ka mbetur i dëmtuar fëmija, të cilin punonjësit e Policisë e kanë çuar në Spitalin Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore informon dhe këshillon drejtuesit e mjeteve 4 + 1, se nuk do të lejohet më qarkullimi i automjeteve jashtë fashës orare të përcaktuar. Duke filluar nga dita e djeshme, ka një ndryshim përsa i përket lejimit të lëvizjes së automjeteve që përdoren për të shkuar në punë. Lejohen për të shkuar nga banesa në drejtim të qendrës së punës nga ora 5:00 deri 8:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:30 për t’u kthyer në banesë. Të gjitha autorizimet e dhëna në funksion të biznesit për mjetet e përdorimit vetjak 4+1 do të përdoren vetëm në destinacionin shtëpi – punë dhe punë – shtëpi. Nuk do të lejohet dhe nuk do të tolerohet në asnjë rast lëvizja e mjeteve 4+1 jashtë kësaj fashe orare në bulevarde, rrugë apo qendra urbane. Nuk do të pengohen mjetet e transportit të mallrave të çfarëdo lloj kategorie qofshin, pra janë të lira për të lëvizur gjatë gjithë kohës. Qytetarët të cilët mund të kenë një emergjencë të caktuar shëndetësore, duhet të telefonojnë në numrin 112 ose 129, për të bërë njoftimin e targës dhe të destinacionit ku do të lëvizin në mënyrë që të mos pengohen.

Durrës – Ndalohen 2 shtetas, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit: D. Z.,15 vjeç dhe M. S., 30 vjeç, banues në Durrës.  Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.04.2020, në lagjen nr. 13, Durrës, kanë hyrë në dyqanin ushqimor të shtetases B. U. dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tij, i kanë marrë një sasi bizhuterish, një celular dhe disa paketa cigaresh. Më datë 03.04.2020, në lagjen nr. 13, Durrës, kanë vjedhur në marketin në pronësi të shtetases A. K., ku kanë marrë disa produkte ushqimore, 8000 lekë dhe 150 euro. Më datë 30.03.2020, në lagjen nr. 13, Durrës, kanë vjedhur në minimarketin në pronësi të shtetasit D. S., ku kanë marrë disa paketa cigaresh me vlerë 25.000 lekë. Më datë 27.03.2020, në lagjen nr. 13, Durrës, në minimarketin e shtetasit E. D., kanë marrë disa steka me cigare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 52 shtetas, konkretisht: 6 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar  4 raste: 1 rast i “Kanosja” në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje” në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 në Shkodër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë evidentuar 5 raste aksidentesh në të gjithë vendin, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Berat dhe 1 në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.