Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lushnjë, Fier – Kapet dhe ndalohet nga Policia 1 shtetas në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, në Lushnjë dhe 1 shtetas për armëmbajtje pa leje, në Fier. Në Lushnjë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. C., 25 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Në Fier, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, nga Shërbimet e Specializuara Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u kap dhe ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Eduart Xhelaj, 47 vjeç, banues në Patos. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 08.05.2018 e ka dënuar me 10 muaj burg, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme proceduriale.
Tiranë – Operacion policor i koduar “Muzgu”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 51-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Emigracion i paligjshëm”. Seksioni i Kërkimit pranë Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, në bashkëpunim me Interpol Tirana, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Muzgu”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia Italiane. Si rezultat i operacionit, në rrugën e Dibrës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit A. N., alias A. A., 51 vjeç, lindur në Cakran, Fier dhe banues në Tiranë. Ndaj këtij shtetasi, autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, për veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Emigracion i paligjshëm”. Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 78 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në qarkun Vlorë.
Janë plotësuar 2 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar raste 22 raste, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 3 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 16 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 2 në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.