Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm, procedohet penalisht bashkëpunëtorja e tij. Procedohen penalisht edhe 2 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Midnight”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. M., 51 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, dhe u procedua penalisht bashkëpunëtorja e tij, shtetasja I. N., 35 vjeçe, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi I. M. është kapur nga shërbimet e Policisë, në mesnatë, në zonën e Paskuqanit, duke transportuar 2 emigrantë, të cilëve iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit monetar. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 2 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Tiranë/Kontrolle të shtuara për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo i mbajnë ato pa leje në banesë. Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 është goditur një rast i armëmbatjes pa leje. Vihet në pranga një 23-vjeçar që posedonte një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarak. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, një pistoletë zhurmuese, maskë, thikë e sende të tjera të kundërligjshme. Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, si rezultat i kontrolleve të shtuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 23 vjeç, banues në Tiranë. Pas lokalizimit dhe ndalimit të mjetit me të cilin po qarkullonte ky shtetas, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në mjet dhe kontroll fizik nga drejtuesit, të cilit i kanë gjetur një sasi fishekësh. Në vijim të kontrollit, në banesën e tij, Policia gjeti një armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak, një pistoletë zhurmuese, fishekë zhurmues, një thikë, një shkop bejzbolli, një kuti metalike me një sasi saçmash për armë sportive dhe një maskë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin udhëtonte 23-vjeçari. Metarialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjirokastër – Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 13.02.2022, në lagjen “Dunavat”, Gjirokastër, ku u vodh me thyerje shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri”, si rezultat i veprimeve hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër shpallën në kërkim si autor të dyshuar një shtetas të mitur 14 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Dibër – Më datë 13.01.2022, shtetasi P. K., banues në Dibër, ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë Dibër, se i është larguar nga banesa bashkëshortja e tij, shtetasja M. K., 52 vjeçe. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për gjetjen e saj. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 55 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 16 janë arrestuar në flagrancë dhe 33 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, 2 raste të “Kanosja” dhe 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 4 raste me 1 autor të arrestuar ën flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën vepale “Armëmbajtja pa leje” dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshem e pyjeve”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.
Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për flasifikim dokumentesh.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.