Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Vijon kontrolli masiv i territorit. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit. Arrestohen në flagrance 5 shtetas. Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit masiv të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., 59 vjeç, R. B., 58 vjeçe, F. R., 57 vjeçe, A. M., 55 vjeçe, banues në fshatin Llakatundë, Vlorë dhe E. Y., 39 vjeçe, banuese në fshatin Akerni, Vlorë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës duke tentuar të kultivonin bimë narkotike cannabis sativa në një zonë të pyllëzuar të fshatit Vllahinë, Vlorë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth territorit ku u konstatuan bimët narkotike, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar dhe një sasi rreth 5 kilogramë cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Fier – Vijon puna intensive dhe kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit. Finalizohet me sukses nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, operacioni antidrogë i koduar “Hamili”. Sekuestrohen armë, drogë dhe municion luftarak. Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore dhe një hetimi disajavor, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor antidrogë të koduar “Hamili”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve R. (D). B., 57 vjeç, banues në Hamil, Fier (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale), S. K., 38 vjeç, E. K., 33 vjeçe, E. K., 31 vjeçe, banuese në Ndermenas, Fier. Gjithashtu u procedua penalisht dhe një shtetase tjetër. Shërbimet e Policisë, në bazë të hetimeve të kryera dhe informacionit të grumbulluar kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R.(D). B, në fshatin Hamil, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit e lartpërmendur. Gjatë kontrollit të kryer në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 100 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa në proces tharjeje, 1 automatik me 2 krehra dhe 310 fishekë, 2 freskuese që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike, 1 pres metalike që shërbente për presimin dhe paketim e lëndës narkotike, 7 palë gërshërë, 1 motoçikletë me targa të falsifikuara e trafikuar nga jashtë vendit, 4 aparate celularë, si dhe disa bimë të dyshuara narkotike të kultivuara në ambientin përreth banesës së 57-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 13.10.2020, gjatë natës, në ambientet e një zyre postare në autostradë, 3 persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një shumë parash dhe më pas janë larguar, pasi janë pikasur nga roja i objektit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje”, “Shtrëngimi në anë të kanosjes apo dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me DVP Dibër, pas një punë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e marra për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat e një pune të mirorganizuar dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, në rrugën “Mustafa Aranitasi”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e shtetasit F. Sh., 32 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Ky shtetas, më datë 19.06.2020, në vendin e quajtur “Busti i Skënderbeut”, në Fushë Bulqizë, ka qëlluar me armë zjarri në ajër, duke kanosur shtetasin G. B., për t’i marrë një shumë parash nëpërmjet shtrëngimit. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 12 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 më Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 12 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 2 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave “, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidedntuar1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me1 viktimë dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, në Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.