Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 gusht 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Vazhdon me sukses dhe rezultate të shkëlqyera puna në grup midis Policisë së Shtetit dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane (Criminalpol).  Si rezultat i këtij bashkëpunimi, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane (SCIP), gjatë ditës së sotme u ekstraduan drejt Italisë 9 persona të kërkuar që janë arrestuar në Shqipëri në periudha të ndryshme në harkun kohor të një viti. Të ekstraduarit janë shtetas shqiptar nga mosha 27 deri 72 vjeç, të cilët ishin fshehur në Shqipëri për t’iu shmangur urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroritë e Barit, Bergamos, Chietit, Firences, Aquilës, Milanos dhe Napolit. Personat që u ekstraduan janë kapur nga Policia e Shtetit dhe janë të përfshirë në vepra kriminale si shkelje e ligjit për narkotikët, vjedhje, grabitje, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe organizatë kriminale me qëllim trafikun e lëndëve narkotike. Operacioni i sotëm erdhi si rezultat i shkëmbimit të informacionit investigativ dhe aktivitetit hetimor të kryer në territorin shqiptar gjatë disa muajve, duke i vënë theksin bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Kriminale Italiane, nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane UCI Albania. Ky operacion tregoi edhe njëherë besueshmërinë e Policisë së Shtetit tek homologët dhe vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar ngushtësisht me homologët në drejtim të goditjes së krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Shkodër – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e  paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar dhe goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Vihet në pranga një 22-vjeçar që punonte si banakier në lokal dhe shpallet në kërkim pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme. Në vijim të kontrolle të ushtruara nga shërbimet e Policisë në qytetin e Shkodrës, për goditjen e aktivitetit të lojërave të fatit, u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim, shtetasi A. Xh., 22 vjeç, banues në Shkodër. Nga kontrolli i ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit N. Xh., ku ky shtetas punonte si banakier, Policia gjeti në celularin e tij aplikacione për vendosjen e ndeshjeve sportive dhe biseda në të cilat ka pranuar porosi për baste sportive, si dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit N. Xh., 30 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim.

Muriqan, Shkodër – Policia Kufitare kap dhe vë në pranga një të kërkuar për llogari të drejtësisë italiane. Falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Policisë Kufitare, Interpol Tiranës dhe DVP Shkodër   u vu në pranga 44-vjeçari i dënuar me 11 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i shtimit të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe kapjen e personave në kërkim, gjatë përpunimit të dokumenteve të personave në hyrje të republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për intervistim të hollësishëm një shtetas nga Vlora. Pas intervistimit të hollësishëm nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Sektorit për Hetimin e  Narkotikëve në DVP Shkodër rezultoi se shtetasi Elton Isufi alias Mateo Meto, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili po kthehej nga Brukseli për në Vlorë, ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Bari, në vitin 2014 e ka dënuar me 11 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Trafikimi i armëve” parashikuar nga Kodi Penal Italian. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, me qellim ekstradimin e këtij shtetasi në Itali Vijon puna për kapjen e shtetasit N. Xh. dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Procedohen penalisht 2 shtetas për veprën penale “Ndotja e ajrit” dhe 1 tjetër për “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Arrestohen në flagrancë dhe 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore, proceduan penalisht për veprën penale “Ndotja e ajrit”, shtetasit A. D., 45 vjeç dhe Sh. A., 45 vjeç, banues në Krujë, pasi në vendin e quajtur “Krastë” kanë djegur furra gëlqerore, pa lejen e organeve kompetente, duke shkaktuar ndotje të ajrit. Gjithashtu është proceduar penalisht shtetasin Q. K., banues në fshatin Bubq, Krujë, pasi gjatë kontrolleve iu gjetën rreth 3 m2 dru zjarri të prera pa leje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. Xh., 17 vjeç, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja” dhe në lagjen nr. 13, Durrës, ka tentuar të vjedhë biçikletën e shtetasit E. H. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. N., 23 vjeç, banues në Manzë, pasi më datë 12.08.2020, ora 20:45, në Manzë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar një këmbësore, shtetasen H. K., 58 vjeçe, e cila për pasojë ka ndërruar jetë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Në vijim të punës intensive për kapjen e personave që kanë kryer vepra penale të ndryshme, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas, njëri prej tyre në kërkim. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. K., 49 vjeç dhe K. K., 55 vjeç, banues në fshatin Brataj, Vlorë, pasi në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Brataj janë gjetur të kultivuara disa bimë të dyshuara cannabis sativa dhe dyshohet se këta shtetas janë autorë. Policia ka ndaluar shtetasin E. A. (Z.), 39 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, pasi më datë 11.08.2020, në zonën e Radhimës, dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dy punonjës të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për shkak të detyrës. Gjithashtu është ndaluar shtetasi në kërkim T. V., 58 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasen F. N., 46 vjeçe, banuese në Hasturkas, Fier, pasi në fshatin Hasturkas, për motive të dobëta, ka goditur në kokë me sende të forta (gurë), shtetasen D. K., 56 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Gjithashtu është ndaluar nga Policia, për veprën penale “Dhunë në familje”, shtetasi A. Th., 41 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, pasi për motive të dobëta, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij, shtetases A. Th., 39 vjeçe. Në vijim të kontrollit të territorit për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Baltëz, Fier, janë gjetur të kultivuara disa bimë të dyshuara cannabis sativa dhe nga veprimet hetimore dhe operacionale dyshohet se autori është shtetasi P. T., 57 vjeç, banues në Baltëz, Fier, i cili u ndalua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë. Transportonte 12 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 28-vjeçari. Sekuestrohen një sasi lënde narkotike, një automjet dhe 1 celular. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Destinacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 28 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur nga shërbimet e Policisë tek “Mbikalimi i Rinasit”, duke transportuar në drejtim të Kukësit, 12 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 150 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin R. B., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, lënda narkotike dhe 1 celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 3 rast të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhje së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 Shkodër, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshmë të kufijve”, në korcë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 11 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, 5 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 20 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë arrestuar dy shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.