Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 shtator 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Sot është finalizuar operacioni policor i koduar “LIMIT”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 57 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 8 të tjerë. Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara. Policia e Shtetit në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, ka vijuar operacionet e pandërprera në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me policitë homologe të vendeve të rajonit e më gjerë. Në funksion të këtij hetimi, Task Forca Speciale Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “LIMIT”, operacion i nisur më parë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me homologët e policisë greke. Ky operacion u krye në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2016, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve “, kryer në bashkëpunim. Gjatë periudhës së hetimit 2016 – 2019, është shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve. Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë. Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore. Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim. Konkretisht u arrestuan shtetasit: S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; B. Sh., 46 vjeç, banues në Mirditë ; A. P. alias A. B., 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35 vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R. T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç, banues në Korcë; F. Ç. alias f. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; E.B., 42 vjeç, banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier;  A. B., 25 vjeç, banues në Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në Tepelenë; A. M., 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë; A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38 vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë. Si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas ku vijon operacioni për kapjen e tyre. Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis,  një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete. Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë. Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,  “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Policia e Shtetit është e vendosur në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimit në përgjithësi. Gjithashtu Policia e Shtetit është e fokusuar në thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe agjencitë ligjazbatuese brenda dhe jashtë vendit, duke shkëmbyer informacione në kohë reale dhe zhvilluar operacione të përbashkëta me qëllim goditjen e plotë të grupeve apo individëve që ushtrojnë veprimtari kriminale. Policia e Shtetit fton qytetarët të vijojnë të mbështesin dhe bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie, në numrin unik 112 apo në Komisariatin Dixhital, se vetëm bashkërisht e luftojmë më mirë paligjshmërinë dhe ndërtojmë një ambient sa më të sigurt për fëmijët tanë.

Lezhë – Operacion i gjerë kontrolli në të gjithë territorin e Lezhës, i koduar “Qarku”, për kapjen e personave në kërkim, si dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri. Kapet një shtetas në kërkim ndërkombëtar i dënuar me 20 vite burg, në fushën e narkotikëve dhe për shfrytëzim prostitucioni, si dhe një tjetër shtetas në kërkim kombëtar për vjedhje. Gjithashtu u vu në pranga një shtetas, i cili qarkullonte me armë zjarri në brez, si dhe u procedua një tjetër në fushën e narkotikëve. Në kuadër të planit operacional të koduar “Qarku”, shërbimet policore të Drejtorisë dhe Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë kanë ushtruar kontroll të gjerë në gjithë territorin e Lezhës me qëllim kapjen e personave në kërkim, si dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri e sende tjera kundërligjshme. Si rezultat i tij, falë edhe mbështetjes dhe bashkëpunimit me qytetarët, u lokalizuan dhe u kapën shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar e kombëtar, konkretisht: U arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimi, shtetasi Erikson Tetaj, 23 vjeç, banues në Lezhë. Gjykata Monza/Itali e ka dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë; U kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim kombëtar E. N., 22 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes së dyqanit të shtetases B.K., në Laç, ndodhur më 10 korrik 2019, ku ka vjedhur mallra dhe vlera monetare. Gjithashtu, po në vijim të operacionit: U arrestua shtetasi B. P., 28 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë TT me krehër me 7 fishekë, pa leje; U procedua penalisht shtetasi E. Sh., vjeç 32, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa doza lëndë narkotike. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, falënderon qytetarët për besimin dhe mbështetjen dhe i fton që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërinë në numrin unik 112 dhe në Komisariatin Dixhital, duke u garantuar anonimat  të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 22 janë ndalur dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Fier, 3 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Tiranë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Lezhë, i cili  është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 6 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 2 në Fier.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.