Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, DVP Durrës, Komisariati i Policisë Krujë, DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Krujë. Operacioni i ndjekur me metoda speciale te hetimit prej disa muajsh. Goditet një grup që merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, pas një hetimi proaktiv disamujor me metoda speciale të hetimit nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u finalizua operacioni policor ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit G. B., 20 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë, Xh. Xh., 24 vjeç, banues ne Tiranë, A. T., 19 vjeç, banues në Larushk, Fushë Krujë, E. Q., 25 vjeç , banues ne Tiranë dhe E. Z., 39 vjeç, banues në Fushë Krujë. Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të këtyre shtetaseve, të cilët ishin duke shkëmbyer një sasi lënde narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa, të ndarë në doza të vogla, gati për shitje. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të ushtruar nga këta shtetas, si dhe për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Për arsye se operacioni është në vijim, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Vlorë – Policia zbardh ngjarjen e djeshme në Selenicë. Në pranga autorët. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Më datë 11.06.2019, rreth orës 14:20, në fshatin Petë të Selenicës, pas një konflikti me armë zjarri midis disa personave, janë plagosur shtetasit A. B., 19 vjeç dhe A. Gj., 51 vjeç, ku si pasojë ky i fundit ka humbur jetën në Spitalin e Vlorës. Pas hetimeve të kryera, dëshmive dhe provave të administruara, Policia ka zbardhur ngjarjen, duke vënë para përgjegjësisë penale autorët e dyshuar N.B., 30 vjeç (arrestuar), J.B., 22 vjeç (arrestuar), A.B., 19 vjeç (arrestuar). Të tre këta shtetas janë me banim në fshatin Mavrovë. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi M .P. (B), 32 vjeç, banues në Vlorë dhe po punohet për kapjen e tij. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri tip pistoletë dy vëllezërit F. O. dhe A. O., (70 dhe 65 vjeç), por pas ndërhyrjes për të shuar konfliktin humbi jetën Kryetari i Njësisë Administrative Kotë, shtetasi A. Gj. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Elbasan – Tjetër goditje në fushën e narkotikëve, falë besimit, bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit. Finalizohet një tjetër operacion antidrogë i koduar “PALESTRA”. Goditet një grup që ushtronte veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Sekuestrohet lëndë narkotike, automjete dhe celularë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në vijimin të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar mbi informacionet e mara në rrugë operative, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Palestra”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit R., 26 vjeç, B. A., 26 vjeç, D. P., 25 vjeç dhe V. T., 51 vjeç, të gjithë banues në Elbasan. Gjithashtu u shpallën në kërkim policor tre shtetas të tjerë, për të cilët, për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Gjatë operacionit , në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan, në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. T., u gjet një sasi prej rreth 11 kg Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me dy automjete dhe tre aparate celulare. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sasinë e lëndës narkotike, do ta shpërndanin në qytetin Elbasan. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim.
Kukës – Vijon puna për goditjen e aktivitetit të kontrabandimit të mallrave. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, 2 prej të cilëve me detyrë doganier. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kontrabandimit të mallrave, arrestuan në flagrancë shtetasit G.Sh., 29 vjeç, banues në Shtiqen, Kukës, H. B., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Doganën e Morinës dhe B. V., 47 vjeç, banues në Kukës, me detyrë doganier në Doganën e Morinës. Arrestimi i shtetasit G. Sh., u bë pasi, në aksin rrugor Morinë – Kukës nga shërbimet e DVP, është ndaluar automjeti tip “Iveko” fugon mallrash, me drejtues shtetasin e mësipërm, i cili kishte të ngarkuara 267 pako lëndë plastike (materiale ndërtimi), pa dokumenta shoqëruese. Pas veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas ka hyrë nga PKK Morinë, pa kryer detyrimet doganore. Arrestimi i shtetasve H. B., dhe B. V., u bë pasi, duke qenë në detyrë, nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti së bashku me mallin. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Rinas – Kapet dhe arrestohet me qëllim eksdradimi një shtetas kinez për veprën penale “Gjobvënie”. Policia Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Interpol Pekini/Kinë, kanë bërë arrestimin e shtetasit kinez G.L, 25 vjeç, lindur në Kinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, më datë 23.04.2019, për veprën penale “Gjobëvënie”, parashikuar në nenin 274 të Kodit Penal të Republikës së Kinës. (maksimumi dënimit 10 vjet burg).Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Zyra e Sigurisë Publike të Bashkisë së Goazhou, në Kinë, ka zhvilluar hetime, ndaj një grup kriminal, të tipit mafioz, të cilët merrnin përfitime ekonomike nëpërmjet dhënies me kamatë, hapjes së kazinove, kumarit dhe marrjes me dhunë të borxheve. Shtetasi G. L. është një prej anëtarëve kryesorë të këtij grupi. Në vitin 2013, ky shtetas sëbashku me pjestarë të tjerë të grupit, kanë rrëmbyer shtetasin X.L, duke e detyruar atë të ripaguajë një borxh, në vlerën e 3.8 milion Juan kinez. Në vitin 2014, në të njëjtën mënyrë ka detyruar shtetasin Ë.H, që të paguajë një hua duke e detyruar atë të shesë 23 suita, 40 vendparkime dhe 6 automjete me çmimin shumë të ulët. Si rezultat i këtij bashkëpunimi u bë i mundur arrestimi i shtetasit të mësipërm, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kinës.
Kakavijë – Vijon operacioni FRONTEX. Arrestohet në flagrancë një shtetas për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”. Në kuadër të operacionit FRONTEX, ku ka për qëllimi monitorimin e kufirit dhe parandalimin e trafikimeve të paligjshme, nga patrullat e përbashkëta me FRONTEX, në vendin e quajtur “Mulliri”, në afërsi të vijës së gjelbër kufitare me Greqinë, u kap shtetasi D.R., duke transportuar një motorçiklet. Pas verifikimeve të kryera rezultoi se motorcikleta ishte vjedhur në shtetin Grek. Specialistët e seksionit për Hetimin e Trafiqeve në D.V.P. Gjirokastër bënë arrestimin e shtetasit : D.R., 52 vjeç, banues në fshatin Kashisht, Fier. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për hetime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 118 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar në flagrancë, 5 janë ndalur dhe 92 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas pasi ishte shpallur në kërkim: 1 në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”; 2 në qarkun Durrës, 1 i dënuar për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, 1 i dënuar për veprën penale “Mashtrimi”; 1 në qarkun Korçë dhe 1 në qarkun Fier të dënuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Elbasan, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 23 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, 4 në qarkun Tiranë, 2 në Vlorë, 1 në Durrës, 2 në Lezhë, 1 në Kukës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Dibër, 1 në Lezhë, I në Kukës, me 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 14 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 12 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 14 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 6 në qarkun Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Elbasan, 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Berat, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në qarkun Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku 1 autor është kapur dhe 5 po procedohen në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.