Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maj” ku u vra me armë zjarri një 27-vjeçar. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i dyshuar i ngjarjes. Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të tjerë për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. Q., 27 vjeç, bazuar dhe në provat e grumbulluar, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje shtetasit : M. D., 28 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim edhe shtetasit E. P., 27 vjeç, B H., 28 vjeç, B. A., 23 vjeç, F. M., 29 vjeç dhe Xh. K., 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Punohet për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Vijon puna për kapjen e persona të shpallur në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, si dhe arrestohet një tjetër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Në vijim të punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim,  shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim M. H., 32 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe. Si dhe u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale ”Përkrahja e autorit të krimit”, i shtetasit F. M. 22 vjeç, banues në Kamicë, Malësi Madhe. Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke qarkulluar së bashku në një automjet. Shtetasi M. H., në vitin 2018, së bashku me shtetasin E. H. (i arrestuar në 2019 ), në vendin e quajtur “Syri i Kripës”, në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, kanë tentuar të trafikonin nëpërmjet liqenit të Shkodrës, një sasi prej 93 kg bimë narkotike të llojit marijuanë. Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, për shtetasin M. H. u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.05.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Poliçan – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 2 autorët e tentativës për kultivim. Shërbimet e Policisë Poliçan, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve  narkotike, kanë evidentuar në fshatin Zgërbonjë, Poliçan, një rast të kultivimit të fidanëve të dyshuar cannabis sativa në kubikë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan arrestuan në flagrancë shtetasit F. I., 65 vjeç, banues në fshatin Zgërbonjë, Poliçan dhe R. I., 33 vjeç, pasi në minierën në brendësi të ullishtës në pronësi të tyre, u gjetën të kultivuar në kubikë fidanë të dyshuar cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Ndalohen 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Nga Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve F. F., 51 vjeç, banues në fshatin Radostinë, Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 28.01.2021, e ka dënuar me 2 vjet e 1 muaj burg për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”; T. Rr., 49 vjeç, banues në fshatin Dukas, Patos, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 03.03.2020, e ka dënuar me 8 muaj burg për veprën penale, “Dhunë në familje”; Xh. Xh., 30 vjeç, banues në Lushnje, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 18.02.2021, e ka dënuar me 1 muaj burg për veprën  penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Berat – Qëlluan me armë zjarri në ajër, identifikohen dhe vihen në pranga nga Policia, 4 persona.  Sekuestrohet arma e zjarrit, pushkë gjysmë automatike. Gjatë kontrollit të banesave të personave të arrestuar u gjetën dhe u sekuestruan fidanë cannabis, fishekë, shkop dhe dorezë metalike. Nga specialistët e Seksionit për Krimet të Komisariatit Berat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. F., 20 vjeç, A. G., 19 vjeç., D. Sh., 20 vjeç dhe E. F., 19 vjeç, të katërt banues në lagjen Çlirim, Berat, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi i mitur M. Z., 17 vjeç. Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme, në një zonë malore në fshatin Drobonik, kanë qëlluar në ajër me armë zjarri pushkë gjysmë automatike.  Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë kanë krehur zonën, duke bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e autorëve, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.  Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesave të këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 15 fidanë të dyshuar cannabis sativa të kultivuar në kubikë, 1 dorezë metalike, 1 shkop metalik, 51 fishekë dhe një automjet. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maj” Tiranë, ku u vra me armë zjarri një 27-vjeçar, ju informojmë se si rezultat i kontrolleve të shumta dhe pamundësisë për të qëndruar të fshehur dhe negociatave me familjarët dhe avokatëve janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi M. D.,  28 vjeç si dhe një prej personave të shpallur në kërkim shtetasi F. M., 29 vjeç. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Tiranë, për veprime te mëtejshme hetimore.

Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga një 48-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Gjovalin Ndoj, 48 vjeç, banues në Lezhë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 04.05.2021, e ka dënuar me 7 vite burg, për veprën penale ” Trafikim i narkotikëve. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2017, në Velipojë, Shkodër, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike.     Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Korçë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke mashtruar persona të tjerë, në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Përmetit, për të përfituar shuma parash prej tyre, vihen në pranga 2 shtetas.  Njëri prej të ndaluarve dyshohet se ka kryer edhe 5 raste të tjera mashtrimi në Tiranë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë të mundur ndalimin e shtetasit E. J., 36 vjeç, banues në Shkodër dhe shtetases M. T., 26 vjeçe, banuese në Trevllazër, Vlorë. Shtetasi E. J. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, iu ka marrë dy shtetasve në qytetin e Korçës, shumat 1800 euro dhe 800.000 lekë. Në momentin e ndalimit në rrugë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se ky shtetas ishte duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi. Pas verifikimeve, shtetasi E. J. ka rezultuar i shpallur në kërkim edhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, më datë 18.02.2021, për të njëjtën vepër penale. Ndërsa ndalimi i shtetases M. T. u bë pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet ka urdhëruar ndalimin e saj, për veprën penale “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se i ka marrë një shtetasi nga fshati Petran, Përmet, nëpërmjet mashtrimit, shumën 5000 euro. Veprimet e mëtejshme procedurale në lidhje me këtë rast po kryhen nga Komisariati i Policisë Përmet.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud 21”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Merrnin kredi në subjekte financiare që japin mikrokredi, me dokumente të falsifikuara, vihen në pranga 2 shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud 21”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve Sh. Rr., 25 vjeçe dhe L. A., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi, me anë të së cilës rekrutonin persona të ndryshëm, kundrejt shpërblimit, duke i pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të bërë të mundur përfitimin e mikrokredive nga këto institucione financiare. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Mashtrim me kredi”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Elbasan ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1  rast i “Plagosja e lehtë me dashje, në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, 1 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar, dhe 1 në Vlorë, ku po punohet për identifikim dhe kapjen e autorit.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorit janë arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 9 raste, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 2 në Shkodër.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shpërdorimi i detyrës”, në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Po në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një funksion publik”.

Në Korçë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Pushtim toke”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 7 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.