Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale. Sekuestro preventive mbi disa pasuri që dyshohen se janë përfituar nga pastrimi i parave, vlera e tyre arrin deri në 543 452 euro. Në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri, konkretisht: 2 apartamente banimi në Vlorë, 2 llogari bankare dhe 1 automjet Volksëagen. Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 543 452 euro. Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, ndaj shtetasit G. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas është arrestuar në Itali, në vitin 2017, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e mëtejshme.
Elbasan – Shpërndanin në doza të vogla droga të forta, vihen në pranga nga Policia dy vëllezërit. Sekuestrohen lëndë narkotike, 2 peshore elektronike, 4 aparat celular dhe 1 automjet. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me punonjësit e Policisë të Operacionales në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç dhe A. K., 27 vjeç, (vëllezër), banues në Elbasan. Arrestimi i tyre u bë pasi, te sheshi “Gensher”, Elbasan, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë iu gjetën dhe sekuestruan 9 doza me lëndë narkotike, e dyshuar të llojit heroinë, si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 peshore elektronike, të cilat shërbenin për peshimin dhe ndarjen në doza të lëndës narkotike, doza me lëndë narkotike heroinë dhe kanabis, 4 aparate celular dhe një automjet. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Belsh – Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit A. D., 26 vjeç, banues në fshatin Deshiran, Belsh, me detyrë topograf, për veprat penale “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim i dokumenteve” dhe A. D., 60 vjeç, banues në fshatin Kajan, Belsh, për veprën penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. Procedimi ndaj tyre filloi pasi dyshohet se shtetasi A. D., me detyrë topograf pranë Bashkisë Belsh, ka falsifikuar dokumentet e një prone të shtetasit A. D. Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Durrës dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Gjirokastër, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 18 raste, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 12 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrik, 3 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.