Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Policia e Qarkut Durrës godet një tjetër rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni i koduar “Rrethi”. Sekuestrohen rreth 46 kg lëndë narkotike. Vihet në pranga transportuesi i lëndës narkotike. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas nga Fushë – Kruja po transportonte një sasi lënde narkotike drejt Durrësit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Rrethi”. Si rezultat i operacionit, në lagjen nr. 13, në Plazh, Durrës është vënë në pranga shtetasi K. V., 48 vjeç, banues në Fushë – Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Benz, drejtuar nga shtetasi i mësipërm u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 46 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Canabis Sativa. Grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Kavajë – Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 2, në Kavajë, ku pas një konflikti në banesën e shtetases M. Q., mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi D. H. dhe i plagosur shtetasi B. T., nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: B. T., 31 vjeç, banues në lagjen nr. 2, në Kavajë, me detyrë Shef i Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit. Shtetasi B.T., pasi është konfliktuar me shtetasin D. H., ky i fundit për motive xhelozie ka qëlluar me armë duke e plagosur shtetasin B. T. Në kushtet e vetëmbrojtjes shtetasi B. T. ka qëlluar për vdekje me armë zjarri tip pistolete shtetasin D. H.( i dënuar më parë për krime kundër personit dhe për lëndë narkotike). Arrestimi i shtetasit B.T., për veprën penale “Vrasja me dashje”, si edhe B. T., 27 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 2, në Kavajë ( vëllai i shtetasit B.T.), pasi gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. T. në lagjen nr. 2, në Kavajë iu gjetën dhe u sekuestruan me cilesinë e provës materiale një sasi e dyshuar lendë kokaine e ndarë në 7 doza që i përkisnin 27-vjeçarit. Arrestimi i tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale do të dërgohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 27 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Durrës, ku autori është ndaluar, 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, në qarkun Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 1 në Berat, ku autori është arrestuarv në flagrancë; 1 në Tiranë, 1 në Durrë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 5 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.