Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shijak – Finalizohet operacioni policor “Magnum 2”. Kapet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë me 15 vite burg për vrasje. Në pranga 40-vjeçari, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Durrës, në vijim të punës së tyre për rritjen e parametrave të sigurisë së komunitetit në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas, i cili qarkullonte me një automjet mbante armë zjarri me vete kanë organizuar menjëherë punën duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “Magnum 2”. Në kuadër të operacionit, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e personit, u ngritën pika kontrolli grackë dhe u bë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin lëvizte personi i dyshuar. Në momentin që Policia ka ndërhyrë për të ndaluar ndaluar automjetin, 40-vjeçari G. B., banues në Shijak ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap duke hedhur edhe armën e zjarrit në tokë, por është kapur dhe prangosur në flagrancë nga shërbimet e policisë, të cilat kishin ngritur perimetër sigurie për të mos lejuar largimin e tij. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’’ dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me 13 fishekë luftarakë dhe automjeti tip Benz. Shtetasi G. B. është person me rrezikshmëri të lartë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe ka qenë i dënuar më parë me 15 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Ësht evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 3 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Elbasan dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.