Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Rinas – Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Operacioni i koduar “SIMILARITY”u zhvillua nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Vihet në pranga një shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër. Sekuestrohet pasaporta e shtetasit të shpallur në kërkim që do përdorte shtetasi i arrestuar. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Rinas u godit një tjetër rast i tentativës për kalim të kufirit me dokumente me ngjashmëri. Falë koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SIMILARITY”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E. A., 24 vjeç, lindur dhe banues në Gane. 24-vjeçari tentoi të kalonte nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit me një pasaportë me ngjashmëri, por u bllokua nga kontrollorët e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar edhe në informacionet që dispononin Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas pasi ka siguruar paraprakisht kundrejt shpërblimit monetar pasaportën e shtetasit nigerian O. O., duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit, në drejtim të vendeve të BE-së, me pasaportën e këtij shtetasi. Po nga hetimet e kryera dyshohet se ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë ; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Dibër dhe 1 në Korçë.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 3 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.