Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kukës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Eagle”. Operacioni nga DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës. Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak dhe 875 gramë kanabis. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte lëndë narkotike me vete, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Eagle”. Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. E., 24 vjeç dhe M. M., 33 vjeç, banues në Kukës. Në qytetin e Kukësit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. E. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri tip kallashnikov, 3 karikator, 81 fishekë dhe 350 gramë lëndë narkotike kanabis. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. E. ia ka blerë lëndën narkotike shtetasit M. M. Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Gabrice, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë, 19 fishekë, 525 gr. lëndë të dyshuar cannabis sativa, si dhe një sasi parash.  Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim. Kapen dhe ndalohen 4 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Arrestohet në flagrancë dhe një shtetase, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. Gj., 20 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit B. S., 61 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit B. L., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”. Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore, ka kapur dhe ndaluar shtetasin K. Ç., 28 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. K., 34 vjeçe, pasi në rrugën “Teodor Keko”, ka aksidentuar këmbësoren me iniciale D. T., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Maliq – Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. I., 26 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin K. M., 92 vjeç, banues në Maliq, i cili u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës, ku më pas ka ndërruar jetë.

Elbasan – Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në vitin 2012, në Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir).  Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, në kuadër të procedimit penal në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 15.08.2012, në Elbasan, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. D., 28 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim”, pasi ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. L. ( i cili është arrestuar me parë), më datë 15.08.2012, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir), në banesë. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Elbasan vijon puna intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 10.11.2020, rreth orës 02:30, në rrugën Shën Vlash – Sektori Rinia, disa persona ende të paidentifikuar, pasi kanë goditur me sende të forta rojën e sigurisë, kanë vjedhur një shumë parash në ambientet e një firme private. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Durrës – Procedohet penalisht një 55-vjeçar që ushtronte në mënyrë të përsëritur aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Arrestohet në flagrancë 1 drejtues mjeti. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, proceduan penalisht, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, shtetasin F. Gj., 55 vjeç, banues në fshatin Derven, Krujë. Ky shtetas, pronar i një subjekti në Derven, Krujë, është konstatuar duke organizuar festa familjare në mënyrë të përsëritur, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos iu bindur urdhrit të Policisë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Q. D., banues në Sukth, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 17, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Korçë; 2 raste të “Dëmtime të  tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja me dashje”, 1 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Durrës, 2 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Fier, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “ Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Kukës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet ën gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.