Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Skrapar – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohet autorja e dyshuar e tentativës për kultivim, shpallet në kërkim bashkëshorti i saj, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve. Shërbimet e Policisë Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Gërmenjë, Skrapar, kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasen H. G., 58 vjeçe dhe shpallën në kërkim bashkëshortin e saj, shtetasin E. G., 58 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”), banues në fshatin Gërmenjë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur kubikë me fidanë të dyshuara cannabis sativa në tokën në pronësi të këtyre shtetasve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Malësi e Madhe – Kapet një person i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pas një pune të mirorganizuar, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: Gj. K., 30 vjeç, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Prokuroria e Apelit Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me Burg”, për veprën penale ”Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas iu dorëzua Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprime të mëtejshme. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Kanosja”, pasi ka përndjekur dhe kanosur shtetasin A. R., 32 vjeç, banues në Shkodër. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar proceduan penalisht shtetasit E. D., 19 vjeç dhe D. L., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin bar-kafe në administrim të shtetasit D. L., në pajisjet kompjuterike është konstatuar hapja në mënyrë periodike e një faqeje që dyshohet se përdoret për vendosjen e basteve online. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Kishin përshtatur magazinën për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave, duke vjedhur energjinë elektrike, vihet në pranga pronari i magazinës dhe shpallet në kërkim përdoruesi i saj, i cili në momentin që Policia shkoi për kontroll i vuri zjarrin ambienteve të brendshme. Procedohet penalisht edhe përgjegjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. N., 69 vjeç, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, shpallën në kërkim shtetasin V. Xh., 35 vjeç, për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe filluan procedimin penal për “Shpërdorim detyre” ndaj shtetasit R. R., 58 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës pranë OSHEE Korçë).
Pogradec – Kapet me doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, vihet në pranga. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 35 vjeç, banues në Pogradec. Ky shtetas u kap nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 1, Pogradec, me mjetin tip “Benz”, gjatë kontrollit së të cilit iu gjetën e sekuestruan doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 98 penalisht shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 3 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i peronave që ushtrojnë funksione”. Janë proceduar penalisht edhe 3 shtetas, 1 për “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 për “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 për “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë financiare”.
Në Korçë janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 për “Shkatërrim prone”, 1 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve sportive”.
Janë evidentuar 2 raste “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 29 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, në kuadër të operacionit “Bregdet ynë”, 13 në Fier, 8 në Vlorë, 7 në Durrës dhe 1 në Shkodër.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.