Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 08 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet operacioni “Qerreti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës. Vihen në pranga 3 shtetas që po transportonin lëndë narkotike me një automjet.  Të tre të arrestuarit, me precedentë kriminal, dy prej tyre të dënuar në Itali, për vepra penale në fushën e narkotikëve.  Sekuestrohen rreth 7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin kundër Narkotikëve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se disa shtetas, në Qerret, Durrës, dispononin lëndë narkotike dhe do ta transportonin atë në drejtim të Durrësit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Qerreti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. B., 35 vjeç, banues në Qerret, i dënuar më parë në Itali, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;  M. B., 55 vjeç, banues në Qerret, i dënuar më parë në Itali, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe P. L., 57 vjeç, banues në Jubë, i dënuar më parë për vjedhje. Këta shtetas janë kapur në flagrancë në fshatin Qerret, Durrës, duke transportuar me automjet, rreth 7 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me qëllim shitjen në qytetin e Durrësit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti dhe tre aparate celulare. Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Poker”, për goditjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit. Operacioni nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Elbasan. Vihet në pranga pronari i një lokali, i cili e kishte vendosur lokalin në dispozcion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Procedohen penalisht edhe 10 shtetas të tjerë, klientë në lokal. Në kuadër të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Elbasan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin: A. P., 57 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”, Elbasan, pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit V. T., D. S., M. G., Sh. H., P. B., S. D.,  A. B., K. C., B. K. dhe B. L., klientë në lokalin e shtetasit A. P., të cilët u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.  Në cilësinë  e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, çipsa, zare, letra bixhozi, lekë dhe sende të tjera.   Materialet u rereferuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Qafë Thanë-Pogradec – Pas denoncimit të rastit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, bie në prangat e policisë infermieri i laboratorit që falsifikoi një dokument shëndetësor kundrejt shumës 15 euro, me qëllim kalimin e kufirit në drejtim të Maqedonisë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, pas publikimit të rastit mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku në pamjet filmike u transmetua punonjësi i një laboratori/klinike pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i cili kundrejt shumës prej 15 euro, pa kryer asnjë analizë për COVID-19, i lëshoi një shtetaseje (konkretisht gazetares së këtij emisioni), përgjigjen negative të Rapid Testit (testit antigjen), menjëherë kryen verifikimet e rastit, me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të këtij shtetasi. Në përfundim të veprimeve procedurale, nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, i shtetasit M. XH., 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, me detyrë infermier. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë falenderon bashkëpunimin me mediat dhe qytetarët dhe i fton të denoncojnë çdo paligjshmëri të konstatuar, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 28 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Kanosja”, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, me 2 autorë të arrestuar/ndaluar dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 3 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për shkatërrim prone.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi” dhe 1 tjetër për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, 2 për “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.