Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 08 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Administratori”, i zhvilluar nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihet në pranga një shtetas, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”. Procedohet penalisht bashkëpunëtorja e tij. Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Administratori”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit K. M., 59 vjeç. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë ushtrimit të detyrës si administrator në një kompani private, për një periudhë 3-vjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur 28 milionë lekë të rinj nga të ardhurat e kompanisë. Gjithashtu, në vijim të këtij operacioni, u procedua penalisht bashkëpunëtorja e tij, shtetasja N. Gj., me detyrë ekonomiste.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Berat – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ankona”,  i zhvilluar nga Seksioni i Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve dhe Interpol Tirana. Kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Përdhunimi”. Shërbimet e Seksionit të Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve në DVP Berat dhe Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Elidon Vrapi, 40 vjeç, banues në Drenovicë, Dimal. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Ankonës, Itali, e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Përdhunimi”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste: 4 raste të “Kanosja”, 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera më dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja” mbetur në tentativë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 4 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, në Fier, për vjedhje të energjisë elektrike.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për falsifikim dokumentesh, dhe 1 tjetër për “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Mashtrimi”. Është proceduar penalisht 1 shtetas “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Pushtim toke”.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për armëmbajtje pa leje.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 8  drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.