Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kakavijë/Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 19.450 euro, procedohet penalisht shtetasi italian i cili nuk deklaroi shumën e të hollave në PKK Kakavijë. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motomjetin tip “Hyundai”, me drejtues shtetasin italian G. C. Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjetin e tij, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 19.450 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. C., 53 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, për shtetasit L. Sh., 28 vjeç dhe A. K., 28 vjeç, banues në SHBA, pasi në PKK Kakavijë, në dalje të RSH-së, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në automjetin tip “Benz”, me të cilin udhëtonin shtetasit e mësipërm, u gjetën dhe u sekuestruan disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Lezhë/Vijojnë kontrollet e territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet, pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Gjobardhaj”. U kap në flagrancë duke vaditur bimët e dyshuara narkotike, vihet në pranga. Asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacione policore se në fshatin Gjobardhaj po kultivoheshin bimë narkotike, kanë vijuar kontrollet e territorit, duke përdorur edhe dronë. Si rezultat i një pune hetimore disamujore u finalizua operacioni policor i koduar “Gjobardhaj”, si rezultat i të cilit u bë e mundur goditja e rastit të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gjobardhaj, identifikimi dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit B. P., 63 vjeç, banues në fshatin Ungrej, i cili u kap në flagrancë duke vaditur bimët narkotike. Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 19 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, me 10 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 2 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve mjedisore, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evidentuar 2 raste, me nga 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”, me 1 të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, më 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar i rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj udhrit të punonjësit të policisë, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, me 3 t proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 1 viktimë dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.