Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 05 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kakavijë – Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 20.950 euro. Procedohet penalisht poseduesja. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në të detajuar në vijën e dytë, shtetasen A. B., 45 vjeçe, banuese në Lezhë dhe rezidente në Athinë, e cila udhëtonte si pasagjere në autobusin e linjës Lezhë-Athinë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Frontex-in dhe shërbimet doganore, në çantën e 45-vjeçares janë gjetur 20.950 euro, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, u procedua penalisht shtetasja A. B., për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Skedina”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skedina”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit J. R., 26 vjeç, banues në rrugën “Siri Kodra”. Ky shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij në rrugën “Xhanfize Keko”, për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një kompjuter që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 21 janë arrestuar në flagrancë dhe 32 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 3 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Lezhë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Tiranë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 2 në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë, me 2 autorë të shpallur në kërkim, 1 në Berat dhe 1 në Elbasan, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Korçë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës me zjarr, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Korcë janë ndaluar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.Është proceduar penalishrt dhe një shtetas tjetër, për “Fshehja e të ardhurave”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Në Tiranë është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Ndërtim pa leje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Dhunimi i banesës”. Është arrestuar një shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe një tjetër, për mbajtje pa leje te armëve të ftohta.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për ‘Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Vlorë është arrestuar në flagrancvë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgodurit nga vendi i qëndrimit”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, me 2 viktima dhe 10 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar 3 shtetas, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.