Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 04 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Mat – Në vijim të operacionit policor të koduar “Stojani”, ,kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim i dënuar me 5 vjet burg. Gjatë operacionit të zhvilluar në muajin gusht 2020 janë vënë në pranga dhe 3 shtetas të tjerë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim. Në vijim të operacionit policor  të koduar “Stojani”, për kapjen e autorit të katërt të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni,  mbi bazën e informacioneve të grumbulluara në rrugë policore për vendodhjen e  tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Fushë-Krujë, kanë organizuar punën dhe si rezultat gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. M.,  28 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Gjykata e Shkallës së Parë Mat, këtë shtetas e ka dënuar  me 5 vjet burg,  për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”,i cili  në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë të arrestuar më parë janë kapur në flagrancë duke punuar në një parcelë të cilët  kishin mbjellur bimë narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sukthi”. Dispononin armë zjarri dhe qëllonin në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë, falë ndërhyrjes në kohë dhe me profesionalizëm , kapen pa dëmtime dhe vihen në pranga dy adoleshentë. Procedohet penalisht edhe një 16-vjeçar që dispononte pistoletën sportive. Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, një pistoletë sportive dhe një shkop metalik. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe ato operacionale të DVP Durrës, pas marrjes së njoftimit se në Katund, Sukth, tre adoleshentë qëllonin me armë në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sukthi”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: K. B., 17 vjeç dhe G. P., 18 vjeç, të dy banues në Katund, Sukth, Durrës, si dhe u procedua penalisht një 16-vjeçar. Gjatë operacionit, forcat policore kanë ndërhyrë me profesionalizëm, pasi njëri prej adoleshentëve, shtetasi K. B. kishte me vete armën e zjarrit kallashikov, me të cilën këta shtetas qëllonin në ajër. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesave, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë sportive pistoletë dhe një shkop metalik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” në ngarkim të dy shtetasve të arrestuar dhe “Mbajtja pa leje e armëve sportive” në ngarkim të shtetasit të proceduar.

DVP Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Noterja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihet në pranga një 40-vjeçare me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noterja”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases: R. K., 40 vjeçe, me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 19 janë arrestuar në flagrancë dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Durrës, me 2 autorë të shpallur në kërkim; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar/ndaluar, 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 rast me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, 2 për veprën penale “Organizmi i lotarive të palejuara” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Durrës janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për armëmbajtje pa leje.

Në Lezhë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 1 viktimë dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.