Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Elektroniks”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3. Zbardhen dhe dokumentohen 5 raste të vjedhjeve në biznese të ndryshme dhe qendra tregtare, vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohen katër laptopë dhe veshje që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Elektroniks”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi: A. H., 39 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, dhe i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 3, po për këtë vepër penale. Ky shtetas, në kohë dhe në vende të ndryshme, dyshohet ka kryer vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi A. H. është autor i 5 rasteve të vjedhjeve të laptopëve në biznese të ndryshme, konkretisht: Më datë 21.01.2022, në rrugën ”Luigj Gurakuqi”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan; Më datë 24.01.2022, në rrugën ”Luigj Gurakuqi”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan; Më datë 24.01.2022, në rrugën ”Xhanfize Keko”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan; Më datë 26.01.2022, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një qendër tregtare; Më datë 27.01.2022, në Rrugën e Durrësit, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar katër laptopë dhe veshje që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Sarandë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Gjashta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa në doza të vogla. Sekuestrohen 3 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, një pjesë e saj e ndarë në doza, 8.100 euro, 350.000 lekë të rinj, një automjet dhe një aparat celular. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike, në afërsi të shkollës në fshatin Gjashtë dhe në qytetin e Sarandës, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gjashta”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 29 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. H. dhe kontrollit fizik në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, një pjesë e saj e ndarë në doza gati për shitje, 8.100 euro, 350.000 lekë të rinj, një automjet dhe një aparat celular. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 19 janë arrestuar në flagrancë dhe 34 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 3 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë/ndaluar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Shkodër.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Në Shkodër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, në Tiranë dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, 1 në Tiranë, 1 në Dibër dhe 1 në Lezhë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Prerja e paligjshme pyjeve” dhe janë arrestuar 2 të tjetë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkatërrim prone” dhe 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 viktima dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.