Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 02 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Emigranti”.  Transportonte 7 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit, kapet dhe vihet në pranga 22-vjeçari. Po gjatë operacionit u kap dhe një person i shpallur në kërkim për llogari të DVP Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Mal të Zi, me destinacion një nga vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Emigranti”. Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Plepa-Durrës, u bë e mundur kapja dhe arestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 22 vjeç, banues në Tiranë. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit në automjet u konstatuan 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina, të cilët 22-vjeçari po i transportonte drejt Shkodrës, kundrejt fitimit. Po gjatë operacionit, nga shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e  Trafiqeve të Paligjshme u kap shtetasi F. Q., 28 vjeç, person i shpallur në kërkim nga DVP Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.  Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Policisë të DVP Korçë, për veprime të mëtejshme.

DVP Gjirokastër – Finalizohen me sukses dy operacione policore të koduara “ROAD GUARD 4” dhe “ROAD GUARD 5”. Goditen brenda disa orësh, dy raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.  Transportonin emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre.  Sekuestrohen dy automjete dhe tre aparate celulare. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 4”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. D., 26 vjeç dhe E. A., 24 vjeç, banues në Sarandë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë, në aksin rrugor Qafë Muzinë-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tyre, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit M. N., 21 vjeç dhe A. A., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë veprimeve hetimore kanë rezultuar bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.  Gjithashtu, po nga këto struktura, pas një pune të mirorganizuar u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 5”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. C., 29 vjeç, banues në Kavajë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në flagrancë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tij, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një aparat celular. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 raste të “Dëmtime të tjera më dashje”, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 2 raste me 1 autor të ndaluar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligshëm të kufirit”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për korrupsion aktiv.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Mosbindja ndaj udhrit të punonjësit të policisë” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Janë proceduar penalisht edhe 3 shtetas të tjerë, 1 për “Pushtim toke”, 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Fier janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Ndotja e ajrit”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe janë arrestuar 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.