Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 01 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Dibër – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Mbante armë zjarri pa leje në banesë,  vihet në pranga 57-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet  e marra në rrugë operative, se një shtetas posedonte armë zjarri në banesë,  shërbimet e Komisaritit të Policisë Dibër,  organizuan punën dhe ushtruan kontroll në banesën e shtetasit L. K., banues në fshatin Muhurr, Dibër. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pushkë dhe 79 copë fishekë luftarak, që i posedonte pa leje. Në përfundim të  veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. K., 57 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

Durrës – Goditen 3 raste të tentativës për të kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara, arrestohen në flagrancë 3 shtetas të huaj. Vihen në pranga edhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.  Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, shtetasit E. A., 42 vjeç, Ç. A., 41 vjeç dhe F. A., 39 vjeç, të tre banues në Turqi, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës ndaluan shtetasin T. T., 32 vjeç, banues në Romanat, Durrës, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më datë 10.02.2022, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, shtetasin R. A.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 41 vjeç, banues në fshatin Mazhë e Madhe, Krujë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. Z., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Fier – U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për shtetasen N. I., 35 vjeçe, pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi parash në banesën e shtetasit F. M. U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për shtetasin J. B., 14 vjeç, pasi dyshohet se në lagjen “Sheq i Madh”, ka vjedhur disa shishe me pije në lokalin në pronësi të shtetasit E. G.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 55 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 30 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste: 3 raste të “Kanosja” dhe 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 5 raste me 2 autorë të ndaluar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone, dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për shkatërrim prone me zjarr.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Në Durrës janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për falsifikim dokumentesh, dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve.

Në Fier janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për armëmbajtje pa leje, 1 në Dibër dhe 1 në Elbasan.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, me 2 viktima dhe 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas dhe janë arrestuar 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.