Raporti ditor i ngjarjeve, 23 gusht 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive

FAST Albania-Finalizohet një tjetër operacion policor, i koduar “Apartamenti”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.I dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, për trafikim droge, kapet në një apartament të marrë me qira dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 43-vjeçari.Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet FAST Albanias, Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, se në Tiranë fshihej një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim droge, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Apartamenti”.Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e FAST Albanias, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin:Ortis Banda, 43 vjeç, banues në Tiranë.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, në bazë të vendimit të Gjykatës së Leçes, Itali, e cila e ka dënuar 43-vjeçarin, me 5 vjet, 10 muaj e 16 ditë burgim, për “Trafikim droge”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal italian.Në vitin 2012, shtetasi Ortis Banda ka trafikuar një sasi kokaine, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve u kap në flagrancë në qytetin e Maniagos, me sasinë e kokainës.Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Krujë/Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Momenti”.Vodhi me dhunë në një banesë, në vitin 2022, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari i shpallur në kërkim.Vihet në pranga edhe 1 shtetas tjetër, pasi ka strehuar në banesën e tij, 32-vjeçarin në kërkim.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Momenti”.Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Mafsheq, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit I. K., 32 vjeç.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Kurbinit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, sepse në vitin 2022, ka vjedhur me dhunë në një banesë në fshatin Vinjolle, Milot.Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. Ç., 49 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ka strehuar në banesën e tij, 32-vjeçarin në kërkim.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

Gjiri i Durrësit-Rrezikuan të fundoseshin, bashkë me Jet Skinë e tyre, për shkak se mjeti lundrues pësoi defekt dhe rryma e largoi në thellësi, efektivët e trajnuar të Njësisë Policore Detare, me 2 mjete lundruese, iu shkojnë në ndihmë 2 shtetasve.Pasditen e djeshme, gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë konstatuar në afërsi të gjirit të Durrësit, 2 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të fundoseshin, për shkak se mjeti i tyre lundrues Jet Ski kishte pësuar defekt dhe rrymat detare e kishin çuar larg bregut.Sapo i kanë konstatuar, shërbimet e Njësisë Policore Detare, me 2 mjete lundruese, iu kanë shkuar në ndihmë 2 qytetarëve, dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.Gjithashtu, është tërhequr në breg, mjeti lundrues që kishte pësuar defekt.Njësia Policore Detare fton çdo qytetar/turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Njësisë, të kërkojë ndihmë, dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe i specializuar.

Korçë-Tentoi të vriste me armë zjarri një 41-vjeçar dhe kanosi djalin e këtij shtetasi, për shkak të një konflikti ndërmjet tyre, të ndodhur më datë 10.08.2023, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari i shpallur në kërkim.Procedohet penalisht vëllai i të arrestuarit, gjithashtu i shpallur në kërkim, si i përfshirë në këtë konflikt.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Korçë dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për një konflikt të ndodhur më datë 10.08.2023, në lagjen nr. 17, Korçë, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tyre.Për këtë rast u vu në pranga shtetasi M. D., 23 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për vëllanë e tij, shtetasin Dh. D., 20 vjeç, të dy banues në Korçë.Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se shtetasi M. D., në bashkëpunim me vëllanë e tij dhe me shtetasin M. S. (i arrestuar nga Policia, më datë 11.08.2023), kanë kanosur shtetasit F. R., 41 vjeç dhe F. R., 22 vjeç (babai dhe djali), për shkak të një konflikti ndërmjet tyre. Gjithashtu, dyshohet se gjatë këtij konflikti, shtetasi i vënë në pranga, M. D. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të 41-vjeçarit. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën mbajtjes pa leje tw armëve, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, u kap dhe u vu në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për kanosje, u kap dhe u vu në pranga.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomike- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 7 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të mëparshme janë kapur dhe vënë në pranga 2 shtetas të tjerë. Gjithashtu, është evidnetuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shettas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Përndjekja”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Dhunimi i banesës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga.

Për raste të mëparshme, është ndaluar 1 shtetas, i kërkuar për veprat penale “Përndjekja” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, si dhe ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për një shtetas tjetër, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilave 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 7 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.