Raporti ditor i ngjarjeve, 19 shtator 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Elbasan/Vijon megaoperacioni policor mbarëkombëtar i koduar “Tempulli”.Kapet në Elbasan dhe vihet në pranga një 26-vjeçar i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të këtij megaoperacioni.Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVP Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.Si rezultat, në lagjen “28 nëntori”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi E. K., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Tiranë.

Kavajë/Punë e vazhdueshme gjurmuese, e mbështetur nga inteligjenca policore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.Finalizohet operacioni policor i koduar “Dekada”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës.Fshihej në një zonë të pyllëzuar në fshatin Spille, pasi ishte dënuar me 10 vjet burgim për trafikim të të rriturve, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.Si rezultat i punës gjurmuese dhe operacionale, për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të kërkuar për vepra të ndryshme penale, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, pasi ishte i dënuar me burgim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Dekada”.Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua në një zonë të pyllëzuar në fshatin Spille, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xhevdet Xhafa, 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.Gjykata e Apelit, Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 10 vjet  burgim, për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, parashikuar nga neni 110/a i Kodit Penal.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 17”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Krujë.Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën.Procedohen në gjendje të lirë 12 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.Sekuestrohen automjeti i përdorur për transportimin e emigrantëve dhe 2 celularë.Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 17”.Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. M.(B.), 36 vjeç, banues në Kukës.Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Fushë Krujë, duke transportuar me 1 automjet, nga Saranda në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.   

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 130 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 97 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste – 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër, i shpallur në kërkim ne kuadër të operacionit “Tempulli”, është kapur dhe vënë në pranga.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 3 shtetas është vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 15 raste të krimeve ekonomike- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 18 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i krimeve kompjuterike, me autor ende të paidentifikuar.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, dy prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, dy prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar 4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale: “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe “Prishja e qetësisë publike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “i Keqtrajtimi i kafshës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 6 shtetas të vënë në pranga.

Gjithashtu, 1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Përndjekja” dhe 1 shtetas i dënuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilave 6 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.