Raporti ditor i ngjarjeve, 16 tetor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Veprime të thelluara hetimore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fire”, për zbardhjen e plotë të rrethanave të djegies së qëllimshme të një lokali.Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim një 41-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Fire”, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të djegies së qëllimshme të një lokali në rrugën “Gjin Bue Shpata”, ngjarje e  ndodhur më datë 12.10.2023, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin E. P., 41 vjeç, banues në Tiranë.Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se shtetasi E. P., në bashkëpunim me shtetasin K. B. (i arrestuar), kanë hedhur lëndë djegëse në tarracën e lokalit, kundrejt një pagese të kryer nga shtetasi R. B. (i shpallur në kërkim).Vijon puna për kapjen e shtetasve E. P. dhe R. B.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Kontrolle intensive dhe punë operacionale e pandërprerë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”.

Goditen 4 raste të tjera të shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike, në doza.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

2 nga të arrestuarit, me precedentë të mëparshëm penal, për vjedhje ose për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike heroinë dhe cannabis sativa, të ndara në doza të gatshme për shitje, si dhe 2 thika të dyshuara vepra arti, të trafikuara nga njëri prej të arrestuarve.

Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e forcave të posaçme “Shqiponja” dhe Operacionale, të DVP Elbasan, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, në lagje të ndryshme të qytetit të Elbasanit, kanë konstatuar dhe goditur 4 raste të tjera në këtë fushë.

-Në lagjen “Visarjon Xhuvani”, u kap në flagrancë, me doza cannabisi, me vete, shtetasi F. J. (i dënuar më parë për vjedhje). Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte fshehur në një kuti, në rrugën “Janaq Kilica”, doza të tjera të kësaj lënde narkotike, me qëllim blerjen nga shtetasit G. D. dhe B. S.. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u vu në pranga shtetasi F. J., 35 vjeç, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. D., 31 vjeç dhe B. S., 29 vjeç, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dozat e dyshuara të lëndës narkotike cannabis sativa.

-Në lagjen “Vullnetari”, u arrestua në flagrancë shtetasi J. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjithashtu, nga kontrolli në banesë, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 thika të dyshuara vepra arti, të trafikuara.

-Në lagjen “28-Nëntori”, u arrestua në flagrancë shtetasi B. F., 20 vjeç, banues në Elbasan (i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve), pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

-U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. D., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të kryer në lagjen “Visarjon Xhuvani”, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Krujë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.Evidentohet dhe goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se në afërsi të shkollave në Fushë Krujë, një shtetas shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.Si rezultat, në afërsi të një shkolle në Fushë Krujë, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Krujë.Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 24-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Fushë Krujës.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 64 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste – 5 shtetas është janë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste – 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojerave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i akuzuar për këtë vepër penale, është kapur dhe ndaluar

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, njëri prej të cilave me autor ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janëë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste-1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale:

-“Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-“Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-“Dhunimi i banesës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-“Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Përndjekja” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Më tej, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, me 1 shtetas të vënë në pranga, dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Vetëgjyqësia”, është kapur dhe vënë në pranga.

1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, është kapur dhe ndaj tij ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.