Raporti ditor i ngjarjeve, 1 shtator 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive

Vau i Dejës-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ata të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetases N. N., 21 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.Mbrëmjen e djeshme, 21-vjeçarja, dyshohet se për motive të dobëta, plagosi me mjet prerës (thikë), shtetasin Z. P., 68 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë, shtetasja N. N. u identifikua dhe u shoqërua menjëherë pas ngjarjes, si dhe iu sekuestrua mjeti prerës (thikë), me të cilin kreu plagosjen.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Selenicë, Vlorë/Informacion shtesë-Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, sipas të cilit, një shtetas njoftoi sallën operative të DVP Vlorë, se në banesën e fqinjit të tij, shtetasit D. G., kishte shpërthyer një bombol gazi dhe si pasojë e shpërthimit, shtetasi D. G. humbi jetën, gjatë rrugës për në spital, ju informojmë se:Nga veprimet  paraprake hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezulton se vendi i kësaj ngjarjeje nuk është brenda  banesës së shtetasit D. G., por në territorin e jashtëm të banesës së këtij shtetasi.Grupi hetimor dhe ekspertët xhenierë,  në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën intensive për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje, për të përcaktuar çfarë ka shpërthyer, si dhe për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.Në vijim do të informoheni për më shumë detaje mbi këtë ngjarje.

DVP Fier

Policia identifikon autorët e 3 zjarrvënieve në fshatrat Luar, Kreshpan dhe Grabian.

Arrestohet njëri prej tyre dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerët, pasi si pasojë e zjarreve që ndezën, u dogjën sipërfaqe të mbjella dhe sipërfaqe me bimë të ulëta.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, pas njoftimeve për 3 vatra zjarri në fshatrat Luar, Kreshpan dhe Grabian, u identifikuan dhe u proceduan penalisht autorët e të 3-ja rasteve. Konkretisht:

-u arrestua shtetasi P. H., banues në Luar, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, janë djegur dhjetëra rrënjë ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin  F. M., banues në Kreshpan, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe me shkurre;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin  V. N., banues në Grabian, Divjakë, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe me shkurre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, janë evidentuar 6 raste, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste. Për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për arrestimin e autorëve të tyre, Policia vijon punën.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale: mosbindja/kundërshtimi ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, secili rast me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, “Fyerja” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

1 shtetas i shpallur në kërkim për mashtrim, është ndaluar, 1 shtetas i shpallur në kërkim për përndjekje, është ndaluar, 1 shtetas i shpallur në kërkim për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike, është ndaluar dhe është proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës, është ndaluar dhe është proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilave 6 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.