Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vau i Dejës-I vuri zjarrin një sipërfaqeje toke, me bimë të ulëta, anash aksit “Bushat-Barbullush”, duke rrezikuar përfshirjen nga flakët, të mjeteve që qarkullonin në këtë rrugë, si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin, arrestohet 33-vjeçari.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se një shtetas iu kishte vënë flakën shkurreve dhe barishteve, në anë të aksit rrugor “Bushat-Barbullush”, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin e zonës, u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit A.M., 33 vjeç, banues në Trush.33-vjeçari, duke iu vënë zjarrin bimëve të ulëta, në anë të aksit rrugor, rrezikoi përfshirjen nga flakët, të mjeteve të qarkullonin në këtë aks, si dhe të sipërfaqeve të mbjella dhe të banesave përreth.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon qytetarët për besimin dhe për denoncimin në kohë, të çdo paligjshmërie. Gjithashtu, apelon sërish për të mos shkaktuar zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht deri me 15 vjet burgim.
Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Barrikadat”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 3.Shpërndanin lëndë narkotike kanabis, vihen në pranga 4 shtetas.Sekuestrohen sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e saj e ndarë në doza, gati për shitje, 200 qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e kanabisit në doza, një grirëse për lëndën narkotike, si dhe tre aparate celulare.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Barrikadat”.Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit K. K., 22 vjeç, S. K., 22 vjeç, B. D., 22 vjeç, dhe D. Sh., 20 vjeç, banues në Tiranë.Në Rrugën e Barrikadave, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik të tyre iu kanë gjetur dhe sekuestruar sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, 200 qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e kanabisit në doza, një grirëse për lëndën narkotike, si dhe tre aparate celulare.Nga hetimet ka rezultuar se 4 shtetasit, pasi siguronin lëndën narkotike kanabis, e përgatitnin atë në doza, të cilat më pas i shpërndanin në rrugën “Bardhok Biba”, “Siri Kodra”, në bulebardin “Zogu i I”, dhe në Rrugën e Barrikadave.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana-Ekstradohet nga Britania e Madhe, 52-vjeçari i dënuar me 25 vjet burgim, për vrasje të dyfishtë.Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga specialistët e Interpol Tiranës, si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit me Interpol Mançesterin, u bë ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit:-Artan Muça, 52 vjeç, lindur në Elbasan.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, në vitin 2001, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.Artan Muça, më 01.06.1997, në një subjekt privat (bilardo), në fshatin Kusarth, Elbasan, vrau me armë zjarri kallashnikov shtetasit S. Gj. (pronari i bilardos) dhe B. M.Shtetasi Artan Muça është kapur në Britani të Madhe, në mars të vitit 2021, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit.Pas shkëmbimit të një sërë korrespondencash dhe pas këmbënguljes së autoriteteve shqiptare, mbrëmjen e djeshme, është finalizuar ekstradimi i shtetasit Artan Muça, në vendin tonë.
Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pollution”, për goditjen e një rasti të krimeve kundër mjedisit.Tentuan të ndotnin ujërat e lumit të Borshit, duke derdhur ujëra të zeza, gjatë natës, me autobot, arrestohet në flagrancë drejtuesi i autobotit dhe procedohet penalisht ndihmësi i tij.Shpallet në kërkim pronari i subjektit ekonomik për llogari të të cilit kryhej kjo veprimtari kriminale.Sekuestrohet autoboti.Si rezultat i informacioneve të siguruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në rrugë operative, se gjatë natës, do të derdhej një autobot me ujëra të zeza, në ujërat e lumit të Borshit, këto shërbime kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur parandalimin e këtij krimi kundër mjedisit.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pollution”, u kap në flagrancë teksa tentonte të derdhte ujëra të zeza, në lumë, me autobotin që drejtonte, dhe u arrestua shtetasi G. Q., 40 vjeç, banues në Sarandë.Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për ndihmësin e 40-vjeçarit, shtetasin S. K., 44 vjeç, banues në Sarandë.Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas e kryenin këtë veprimtari kriminale për llogari të një subjekti privat në pronësi të shtetasit S. Ç. Ky shtetas u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua mjeti autobot.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Vijojnë operacionet policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të drogave të forta.Finalizohet operacioni policor i koduar “Night sales 5”.Bashkëpunëtorë për shitje të dozave të kokainës, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.Sekuestrohen një automjet që drejtohej pa leje drejtimi, nga njëri prej të arrestuarve, dhe që përdorej për shpërndarjen e dozave, një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe 1 celular.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në vazhdën e operacioneve me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në zona të ndryshme të qarkut, finalizuan operacionin policor të koduar “Night sales 5”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit K. F., 28 vjeç dhe A. F., 24 vjeçe, të dy banues në Korçë.Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për veprimtarinë kriminale të këtyre 2 shtetasve, në lagjen nr. 1, Korçë, u ndalua automjeti me drejtues 28-vjeçarin dhe ku ishte pasagjere shtetasja A. F.Nga kontrollet, shtetases A. F. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje, ndërsa nga verifikimet, rezultoi se shtetasi K. F. lëvizte me automjet, i papajisur me leje drejtimi, dyshohet për të shpërndarë dozat e kokainës.Dozat e kësaj lënde narkotike, automjeti dhe 1 celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Parts 19”, në vijim të operacioneve të kryera nga Policia e Vlorës, gjatë sezonit turistik, kundër shitjes së lëndëve narkotike, në doza.Konstatohen dhe goditen 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.Për të dyja rastet, arrestohen 2 shtetas, si dhe sekuestrohen 140 doza të lëndës narkotike cannabis sativa dhe 510 fara të kësaj bime narkotike.Në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, me fokus goditjen e rasteve të sigurimit dhe ndarjes në doza, me qëllim shitjen, të lëndëve të ndryshme narkotike, specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë finalizuan operacionin policor të koduar “Parts 19”. Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:-K. L., 37 vjeç, banues në lagjen “24-Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 132 doza, të gatshme për shitje, si dhe 510 fara të bimës narkotike cannabis sativa;-G. L., 41 vjeç, banues në Dhërmi, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 8 doza, me qëllim shitjen.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Bulqizë-Përkrahu shokun e tij, 18-vjeçarin i cili gjatë një konflikti të çastit, mbrëmjen e datës 26.08.2023, në fshatin Ostren, plagosi me mjet prerës, një shtetas tjetër, arrestohet 21-vjeçari.Gjithashtu, në vijim të veprimeve pocedurale, 18-vjeçarit të arrestuar menjëherë pas ngjarjes, iu gjetën të fshehura 2 mjete prerëse (thika).Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në një konflikt të çastit, mbrëmjen e datës 26.08.2023, në fshatin Ostren, ku shtetasi A. A., 18 vjeç (i arrestuar menjëherë pas ngjarjes), plagosi me mjet prerës (thikë), shtetasin B. K., 25 vjeç, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të DVP Dibër kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. K., 21 vjeç, banues në fshatin Radovesh.Nga hetimet rezultoi se 21-vjeçari ka përkrahur shtetasin A. A. (shokë me njëri-tjetrin), gjatë këtij konflikti.Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shtetasit të arrestuar A. A., iu gjetën dhe iu sekuestruan 2 mjete prerëse (thika), të cilat i kishte fshehur.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Hetime dhe veprime policore intensive, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, të asgjësuara në të gjithë territorin e qarkut, në kuadër të operacionit “Alpe të pastra”.Kishte kultivuar 245 bimë, në fshatin Pepaj, në 4 miniparcela që u shkatërruan më datë 09.08.2023, në kuadër të fazës së 12-të të operacionit “Alpe të pastra”, lokalizohet dhe ndalohet 33-vjeçari i shpallur në kërkim.I ndaluari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe veprimeve procedurale, të kryera nga Policia dhe Prokuroria e Shkodrës, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike që janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia e Shkodrës, në kuadër të të gjitha fazave të operacionit anticannabis të koduar “Alpe të pastra”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. C., 33 vjeç, banues në fshatin Pepaj, Shkodër.Nga hetimet rezulton se 33-vjeçari, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike, është autor i kultivimit të 245 bimëve narkotike cannabis sativa, të asgjësuara më datë 09.08.2023, në kuadër të fazës së 12-të të operacionit “Alpe të pastra”. Këto bimë narkotike u gjetën të kultivuara në 4 miniparcela rreth banesës së këtij shtetasi, në fshatin Pepaj.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 288 shtetas, konkretisht: 86 shtetas janë vënë në pranga, 176 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 26 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste, 4 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 18 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 26 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 31 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për këto krime, është ndaluar dhe vënë në pranga.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 raste të krimeve kompjuterike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 28 raste, 16 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 10 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për 3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Janë evidentuar 2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 41 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 36 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 27 raste, me 14 shtetas të vënë në pranga, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 39 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale në fushën e prostitucionit, me 2 shtetas të shpallur në kërkim; “Përkrahja e autorit të krimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga; “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim; “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe “Kallëzimi i rremë”, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Në vijim, janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër, i shpallur në kërkim për këtë vepër penale, është ndaluar;
-5 raste në fushën e kundërshtimit/mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-7 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 13 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 67 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 29 shtetas janë vënë në pranga dhe 37 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.