Raporti 72-orësh i ngjarjeve, 16,17,18 shtator 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Malësi e Madhe-Vijojnë kontrollet me qëllim goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të gërryerjes së shtretërve të lumenjve.U kapën teksa transportonin me kamion, inerte të marra ilegalisht, nga shtrati i lumit Shehu i Rrjollit, procedohen penalisht 3 shtetas.Sekuestrohen një ekskavator me të cilin ishte gërryer shtrati i lumit, dhe një kamion i mbushur me inerte.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve, të mbështetura në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të gërryerjes së shtratit të lumit Shehu i Rrjollit, me qëllim nxjerrjen e kundërligjshme të inerteve.Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. H., 56 vjeç, E. H., 37 vjeç dhe L. H., 20 vjeç, të tre banues në fshatin Gruemirë-Çezme, Malësi e Madhe. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me kamion, inerte që i kishin marrë në mënyrë të kundërligjshme, nga shtrati i lumit Shehu i Rrjollit, për qëllime fitimprurëse.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një ekskavator që shërbente për gërryerjen e shtratit të lumit dhe një kamion i mbushur me inerte.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Pogradec-Finalizohet pas disa javësh hetime proaktive, operacioni policor i koduar “Llënga”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.Lëvizte me këmbë, në fshatin Llëngë, i pajisur me pistoletë, armë gjahu, kapsolla detonatore dhe municion luftarak, arrestohet në flagrancë 19-vjeçari.Sekuestrohen 2 armët, municion për to dhe 3 kapsollat detonatore.Si rezultat i një hetimi të ndjekur për disa javë, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë, armë shpërthyese dhe municion, shërbimet e  Komisariatit të Policisë Pogradec kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Llënga”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi H. K., 19 vjeç, banues në fshatin Hondisht, Pogradec.Gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj 19-vjeçarit, i cili u lokalizua dhe u ndalua në fshatin Llëngë, iu gjetën në çantë, një armë zjarri pistoletë, 3 kapsolla detonatore, si dhe krehër dhe fishekë për pistoletën, ndërsa me vete iu gjet një armë gjahu. Të gjitha sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rings”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6.Vodhi sende me vlerë në një banesë, vihet në pranga 31-vjeçari.Sekuestrohen sendet me vlerë (aksesorë floriri), të cilat 31-vjeçari pas vjedhjes, i kishte shitur në një argjendari.Gjithashtu sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike narkotike kanabis dhe kokainë, dy peshore elektrike, qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një grirëse për lëndë narkotike, tre maska, si dhe katër shkopinj bejsbolli.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të paligjshmërisë, pas kallëzimit të depozituar nga një 33-vjeçare, se në datën 11.09.2023, një shtetas kishte vjedhur sende me vlerë, në banesën e saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rings”.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. A., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.31-vjeçari dyshohet se ka vjedhur sende me vlerë (aksesorë floriri) në një banesë në zonën e Unazës së Re, të cilat më pas i ka shitur në një argjendari në Rrugën e Dibrës.Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së autorit të dyshuar, shërbimet e Policisë, gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike narkotike kanabis dhe kokainë, dy peshore elektrike, qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e lëndëve narkotike në doza, një grirëse për lëndë narkotike, tre maska, si dhe katër shkopinj bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me aksesorët e vjedhur.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Shtetit-Bashkëpunim i ngushtë me partnerët, për hetimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike.Strukturat për Hetimin e Narkotikëve, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shteti, në bashkëpunim me policinë Malazeze janë duke hetuar një rast të trafikimit të një sasie rreth 300 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi.Policitë e dy vendeve, kanë intensifikuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është  bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës.Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa.Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Lushnjë-Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Lushnjë-Fier”, në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës” ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përplasur automjeti tip “Kamion” me drejtues shtetasin L. Gj. 31 vjeç, dhe autombulanca me drejtues shtetasin F. R., 54 vjeç, në të cilën ndodhej pacienti D. K., 77 vjeç, i cili ka ndërruar jetë.Gjithashtu, janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, drejtuesi i autombulancës, infermieri, shtetasi E. B., 33 vjeç dhe vajza e pacientit që ndërroi jetë, shtetasja E. A., 37 vjeçe.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorit po vijon veprimet për përcaktimin e shkakut të aksidentit si edhe po kryen veprimet procedurale me 2 drejtuesit e automjeteve.

Shkodër/Kontrolle intensive në të gjithë territorin, bazuar në inteligjencën policore, për goditjen e veprimtarive kriminale.Finalizohet operacioni policor i koduar “Konglomerat”. Sekuestrohen dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil zjarrpërcjellës.Vihet në pranga poseduesi i tyre, i cili në momentin e ndërhyrjes nga Policia u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese tritol, granata, fitil zjarrpërcjellës dhe armë zjarri, me qëllim për t’ua shitur personave me precedent kriminal që ushtrojnë veprimtari në fushën e krimve kundër personit dhe pronës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Konglomerat”.Gjatë operacionit, në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin Gj. M., 68 vjeç, banues në fshatin Gimaj, Shkodër, pasi në momentin e ndërhyrjes nga Policia, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë kanabisi që kishte kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të banesës së tij.Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar.Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies, 120 bimët narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së 68-vjeçarit, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Obelisk”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA” dhe Komisariatin e Policisë Vlorë.Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale.Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve, në bazë të inteligjencës policore, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri.Të armatosur në një lokal, me 2 pistoleta të gatshme për qitje, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm.Në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për moskallëzim të krimit, 3 prej të cilëve pjesë e grupit kriminal me 2 shtetasit e armatosur.Të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve të rënda kundër personit.Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Vlorës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, vënien në pranga të shtetasve të rrezikshëm për komunitetin, pjesëtarë të grupeve kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë siguruar informacion për 2 shtetas që qendronin të armatosur, në një lokal në Vlorë, të cilët mund të kryenin ngjarje të rëndë kriminale, kundër personit. Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA”, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Obelisk”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:-S. B., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;-M. A., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;-B. Sh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;-M. H., 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;-B. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;-K. M., 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.Këta shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e krimeve të rënda kundër personit, u kapën në flagrancë, në ambientet e një lokali, në lagjen “Lef Sallata”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në këtë lokal, shërbimet e Policisë iu gjetën shtetasve S. B. dhe M. A., dy armë zjarri pistoleta (“Glock” dhe “TT”), me fishekë në fole, të gatshme për qitje. Armët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 automjete që posedonin shtetasit e arrestuar, 2600 euro dhe 8 celularë.Ndërkaq, 4 shtetasit e tjerë të arrestuar, dyshohet se kanë patur dijeni për 2 shtetasit e armatosur dhe nuk kanë kallëzuar krimin.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 240 shtetas, konkretisht: 46 shtetas janë vënë në pranga, 165 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 29 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 27 raste- 12 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 29 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 30 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 13 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 23 raste, 5 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 12 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për 1 rast të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. 2 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim për 1 rast të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 31 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 29 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 12 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 21 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vetëgjyqësia”, “Prishja e qetësisë publike”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në vijim, janë evidentuar:

-8 raste në fushën e kundërshtimit/mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 15 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 23 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 59 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 22 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 39 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.