Qarku Lezhë – Goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në vijim të operacionit “Tempulli”

Sekuestrohen rreth 4.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Për të dyja rastet arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe kontrolleve të shtuara, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë konstatuan dhe goditën 2 raste të tjera të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Konkretisht:

•në Mirditë, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 46 vjeç dhe P. Ç., 43 vjeç (kushërinj), të dy banues në fshatin Simon, pasi gjatë kontrollit në një ambient në afërsi të banesave të tyre, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 4.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa;

•në Lezhë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrolleve fizike dhe në automjetin me të cilin qarkullonte, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kokainë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.