Goditet 1 tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 19 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e policisë kanë kapur në aksin rrugor Pojan-Pendavinj, Maliq, shtetasin e mësipërm, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit ju kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Drejtuesi i mjetit, në momentin e ndalimit, ka tentuar të largohet duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por më pas u kap dhe neutralizua.
Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë, të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.