Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, të cilët transportonin një emigrant të paligjshëm.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së.
Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• G. D., 30 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”).

• Gj. P., 31 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).

• A. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasit e mësipërm janë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të vendit të quajtur “Enkelana” duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Volkswagen”, një emigrant të paligjshëm,​ të cilit kundrejt shpërblimit i kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.