Qarku Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 dhe shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim Xh. H., 41 vjeç, banues në fshatin Spolat, Lushnjë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar këtë shtetas me 1 muaj burg për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”. Veprimet e mëtejshme u kryen nga Komisariati i Policisë Divjakë.
———-
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të shtetasit S. R., 25 vjeç, banues në Korçë, pasi ky shtetas në lagjen nr. 16, Korçë, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe duke u larguar me vrap, ka hedhur në tokë një sasi të vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Po nga këto struktura, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” për shtetasit Gj. Sh., 29 vjeç dhe A. Ç., 28 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.6, Korçë, gjatë kontrollit fizik të këtyre shtetasve, shërbimet e policisë iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale secilit prej tyre, nga një sasi të vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Gjithashtu filloi procedimi penal dhe u bë shpallja në kërkim për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, për shtetasin A. R., 28 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 8, Korçë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në magazinën në përdorim të këtij shtetasi, u konstatua ndërhyrje dhe dëmtim në rrjetin elektrik.​

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.