Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuron 5500 kopje të librave të xhepit “Për rolin e Policisë gjatë procesit zgjedhor”, të cilët do t’u shpërndahen punonjësve të Policisë të ngarkuar me detyra zgjedhore

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuron 5500 kopje të librave të xhepit “Për rolin e Policisë gjatë procesit zgjedhor”, të cilët do t’u shpërndahen punonjësve të Policisë të ngarkuar me detyra zgjedhore.

Ditën e sonte, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në praninë e ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri z. Vincenzo del Monaco, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të 5500 kopjeve të librave të xhepit “Për rolin e Policisë gjatë procesit zgjedhor”, të prodhuara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu ka falënderuar zotin Del Monaco për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që Prezenca e OSBE-së i ka dhënë Policisë së Shtetit dhe ka theksuar se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për të ruajtur dhe rritur më shumë standardin e krijuar gjatë procese zgjedhore të kaluara dhe ka siguruar qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e fokusuar vetëm në zbatim të ligjit.

Ambasadori Del Monaco është shprehur “Libërthat që ne kemi dhuruar do të shërbejnë si mjet për zyrtarët e Policisë së Shtetit, për efektivët që do jenë duke zbatuar detyra gjatë ditës së zgjedhjeve. Gjithashtu unë do ju dorëzoj edhe diçka tjetër që është më pak e prekshme. Janë tre fjalë që nisin me të njëjtën germë, me germën v: 1/vlerat – ju përfaqësoni mburojën e parë për vlerat e demokracisë, sepse jeni linja e parë e mbrojtjes për vlerat demokratike në të cilat bazohen zgjedhjet; 2/vokali ose zëri – me anë të punës tuaj jeni ju ata që siguroheni që qytetarët të kenë zë dhe që zëri i tyre të dëgjohet; 3/votoni edhe vetë. Gjithashtu ju ftoj që të vazhdoni të mbështeteni tek ne, tek mbështetja ime dhe tek mbështetja e personelit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu

I nderuar Shkëlqesi ambasador Del Monaco,

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë të jem sot pjesë e kësaj ceremonie të thjeshtë, për të marrë prej Prezencës së OSBE-së, mjete didaktike në funksion të kryerjes së detyrave të Policisë së Shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti.

Me këtë rast, më lejoni që në emër të Policisë së Shtetit t’Ju falënderoj ju zoti ambasador, për ndihmën e vazhdueshme që keni ofruar për Policinë e Shtetit, në mënyrë të veçantë gjatë proceseve zgjedhore të zhvilluara në vendin tonë, por edhe për drejtime të tjera të rëndësishme në fushën e ruajtjes së rendit dhe luftës kundër krimit.

Prezenca e OSBE-së në vendin tonë vazhdimisht ka mbështetur Policinë e Shtetit, qoftë nëpërmjet dhurimeve të ndryshime, por dhe në forma dhe mënyra të tjera. Ne vazhdimisht i kemi vlerësuar dhe do t’i vlerësojmë këto ndihma, duke i konsideruar si mjaft të rëndësishme për punën dhe veprimtarinë tonë.

Në mënyrë të veçantë do të veçoja ndihmën dhe mbështetjen e dhënë prej jush për Departamentin e Rendit dhe Sigurisë Publike, në drejtim të trajnimeve, sidomos për fushatën e zgjedhjeve, për respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe për asistencën teknike e materiale.

Edhe për procesin zgjedhor për në Kuvendin e Shqipërisë, të 25 prillit, ne vlerësojmë mbështetjen dhe ndihmën tuaj me ekspertë dhe specialistë afatshkurtër apo afatgjatë. Nëpërmjet tyre është bërë i mundur trajnimi i punonjësve të policisë në të gjitha nivelet, duke ndihmuar me referime dhe zhvillime temash shumë të rëndësishme. Në mënyrë të veçantë ne vlerësojmë përgatitjen prej tyre të trajnerëve tanë, të cilët realizuan më tej zhvillimin e trajnimeve me sistem kaskadë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që janë përfshirë apo do të përfshihen me shërbime në kuadër të këtij procesi.

Gjithashtu, përgatitja dhe shpërndarja prej Prezencës së OSBE-së e 5500 librave të xhepit “Për detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor”, si dhe botimi i 50 kopjeve të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, janë një mbështetje e mirë, pasi këto na mundësojnë informacion të vlefshëm dhe udhëzojnë punonjësit tanë që angazhimet në shërbimet të jenë në përputhje me legjislacionin dhe sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përfitoj nga rasti për të nënvizuar se Policia e Shtetit tashmë ka krijuar një standard dhe realizon një performancë të lartë në drejtim të rendit dhe të sigurisë në procesin zgjedhor, duke garantuar për të gjithë shtetasit dhe subjektet zgjedhore që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Edhe për këtë proces zgjedhor, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme administrative, organizative, teknike, logjistike dhe operacionale për të bërë të mundur zbatimin e këtyre standardeve dhe realizimin gjithnjë e më mirë të një performance sa më të lartë.

Në këtë kuadër, ne jemi të hapur edhe për monitorim nga ana e vëzhguesve tuaj për masat e marra dhe zbatimin e detyrave nga strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë gjithë aktiviteteve për sigurimin e objekteve zgjedhore, veprimet e policisë gjatë ditës së votimit, shoqërimin e kutive të votimit, sigurimin e vendeve të numërimit të votimit etj.

Në emër të Policisë së Shtetit, unë ju siguroj se gjithçka që bëhet për mbështetjen tonë, do të na shërbejë për të forcuar kapacitetet tona për zbatimin e ligjit, sipas standardeve të policive të vendeve të Bashkimit Evropian.

Duke përfunduar, më lejoni të shpreh edhe një herë konsideratat më të larta dhe falënderimet më të sinqerta për mbështetjen, ndihmën dhe financimet e Prezencës së OSBE-së për Policinë e Shtetit.

Ju faleminderit!