Port Durrës – Veliu, Policia e anagazhuar maksimalisht për shërbimin ndaj qytetarëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, vijon inspektimin e masave në pikat e kalimit kufitar, me qëllim përballimin e fluksit, parandalimin e azilkërkimit, si dhe rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë që mund të zhvillohet nëpërmjet këtyre pikave.

Mëngjesin e sotëm Drejtori i Përgjithshëm ka inspektuar Portin e Durrësit, ku vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj me rreth 9 mijë mjete.

Veliu ka parë nga afër procedurat e kontrollit dhe krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjes së gjatë për të hyrë si pasojë e fluksit në rritje çdo ditë. Ai u ka kërkuar punonjësve të policisë në sportele që të jenë të angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, dhe të ofrojnë një shërbim sa më cilësor dhe në kohë, gjithashtu ka porositur drejtuesit e Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, që në raste të fluksit të madh të aplikojnë procedurat e përshpejtuara, por pa lënë mënjanë kontrollin e personave apo mjeteve të dyshimta.

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar kontroll rigoroz të dokumentacionit të qytetarëve dhe të plotësimit të kushteve për të lëvizur në hapësirën Schengen, me qëllim parandalimin e atyre personave që kanë për qëllim lëvizjen në vendet e BE-së për të kërkuar azil.

Veliu ka theksuar se është prioritet kryesor i Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të parandaluar këtë fenomen.

Policia e Shtetit krahas masave të rrepta që po aplikon qoftë në pikat e kalimit apo në patrullimet e shtuara në kufirin e gjelbër, po bashkëpunon ngushtësisht me partnerët, për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që kanë mundur të kalojnë kufirin për të kërkuar më pas azil në vendet e BE-së.

Gjithashtu Veliu ka diskutuar me drejtuesit e Policisë Kufitare, që të bashkëpunohet me Policinë italiane kryesisht në Bari, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjithë ata persona që shesin polica sigurimi false, nisur kjo edhe nga denoncimet e shtuara të qytetarëve, të cilët kanë blerë në portin e Barit nga shtetas shqiptarë, siguracion automjetesh të falsifikuar.

Drejtori ka përgëzuar punonjësit e Policisë Kufitare për reagimin e shpejtë në ndihmë të plazhistëve në nevojë, apo në evidentimin dhe ndëshkimin e personave, të cilët me mjetet lundruese shkelin perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Njëkohësisht Veliu ka vlerësuar rezultatet e arritura, ku gjatë muajit korrik janë kapur 10 persona në kërkim, si dhe janë evidentuar dhe goditur 37 raste të paligjshmërisë, nga të cilat:
• “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë” – 5 raste
• “Falsifikimi i letrave me vlerë” – 12 raste.
• “Falsifikim i pasaportave, letërnjoftimeve, vizave” – 4 raste
• “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” – 12 raste.
• “Trafikimi mjeteve motorike” – 3 raste.
• “Braktisja e fëmijës së mitur” – 1 rast.
• “Dhënia e ndihmës për kalim paligjshëm të kufirit shtetëror – 1 rast.

Në mbyllje të inspektimit Veliu ka kërkuar një vëmendje dhe kontroll të detajuar edhe në drejtim të parandalimit të trafikimit të lëndëve narkotike, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, me shërbimet doganore dhe homologët italianë.

Më poshtë prononcimi për media i Drejtorit të Përgjithshëm

Veliu
Unë së bashku me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare, gjendemi sot për të kontrolluar masat që ka marrë Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit e Drejtorisë Vendore Durrës në lidhje me pritjen e fluksit të qytetarëve shqiptarë por jo vetëm, dhe atyre të huaj të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.

Gjatë muajit korrik kanë ardhur më shumë se 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe gati 30 mijë makina të cilat janë përpunuar në këtë vendkalim, pra siç e shikoni dhe nga shifrat, janë shifra që kërkojnë një angazhim maksimal nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ne sot së bashku me Drejtorin kontrolluam dhe aktualisht janë dhe 20 pika në proces përpunimi, të cilat bëjnë përpunimin e hyrjes nga Shqipëria, pra Policia është jashtëzakonisht e angazhuar me të gjitha kapacitetet për të bërë maksimumin, për të minimizuar kohën e përpunimit të çdo qytetari i cili duhet të kalojë në një proces kontrolli, por njëkohësisht duke forcuar masat për sa i përket elementëve që duke shfrytëzuar këtë situatë dhe në bazë të analizës sonë të riskut mund të shfrytëzojnë këtë situate për të kryer elemente të ndryshme të paligjshmërisë apo veprime të tjera.

Pyetje:
Ka një shqetësim nga pala shqiptare për sa i përket siguracioneve false në Bari, a ka marrë masa pala shqiptare lidhur me këtë fakt?

Veliu:
Policia Rrugore si shërbim i specializuar që duhet të kontrollojë siguracionet, gjatë kontrolleve në dalje të vendkalimit, padyshim që verifikon dhe këtë shkelje, gjithashtu Departamenti i Policisë Kriminale është duke hetuar këtë problematikë dhe jemi në zhvillim e sipër.

Pyetje:
Po për sa i përket fluksit krahasuar me 1 vit më parë është i njëjtë apo ka rritje?

Veliu:
Siç e thashë dhe pak më parë gjatë muajit korrik në këtë vendkalim janë përpunuar 110 mijë shtetas të cilët kanë hyrë dhe 30 mijë shtetas të cilët kanë dalë, ndër këta ka shtetas shqiptarë, por dhe të huaj të cilët vijnë për herë të parë në vendin tonë.

Pyetje:
Duke qenë se jemi sikundër dhe ju e thatë në kulmin e sezonit turistik dhe numri i hyrje – daljeve është dyfish apo trefish më i lartë se ditët e zakonshme. Me qëllim parandalimin e trafiqeve apo tentativave të ndryshme të trafikimit drejt porteve të tjerë, a ka marrë Policia masa shtesë për kontroll më të imtësishëm se në ditët e zakonshme dhe gatishmërinë e tyre për t’i goditur këto raste në kohë?

Veliu:
Sigurisht që Policia ka marrë masa. Ne parësore kemi rritjen e cilësisë të shërbimit ndaj qytetarëve, minimizimin e kohës përpunimit, por kjo nuk do të thotë që ne do të cenojmë elementët e sigurisë. Për sa i përket kontrolleve, janë marrë masa, është shtuar numri i efektivëve, aktualisht janë 20 pika të përpunimit, njëkohësisht në bazë të analizës së riskut bëhet kontrolli në vijën e dytë, qoftë për pasagjerët dhe për makinat të cilat duhet të kontrollohen.
Pyetje:
Ndërkohë ka ankesa nga ana e qytetarëve që vijnë në portin e Durrësit për vonesa nga palën italiane. A ka një bashkëbisedim apo qoftë edhe një marrëveshje, duke pasur parasysh që kapacitetet e portit të Barit janë më të vogla nga sa është numri i qytetarëve?

Veliu:
Ne jemi duke kontaktuar me palën Italiane pothuaj çdo ditë, por kapacitetet e pritjes kushtëzojnë disa veprime në lidhje me vonesat. Në qoftë se ne kemi hapur 20 sportele këtu atje janë 2 sportele dhe detyrimisht do të pasohet me vonesa.