Port, Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Portëz”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike

Operacioni nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit.

Sekuestrohet 45 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë

Vihen në pranga 2 shtetas (pronari i mjetit dhe drejtuesi i mjetit).

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve intensive dhe informacioneve të marra në rrugë operative nga strukturat hetimore për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Italisë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Portëz”, i zhvilluar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit.

Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: O. D., 36 vjeç, banues në Fier dhe A. Ç., 45 vjeç, banues në Durrës.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje. Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim.