Policia, me dyer të hapura për nxënësit dhe qytetarët, në kuadër të 112-vjetorit të krijimit të saj

Policia e Shtetit

“Dyer të hapura për nxënësit dhe qytetarët”, qindra nxënës vizitojnë ambientet e Policisë, në të gjithë vendin.

Vizitorët specialë u mirëpritën në kuadër të aktiviteteve për 112-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga Drejtues Madhor Ilir Proda dhe drejtues të drejtorive dhe sektorëve të ndryshëm të Drejtorisë së Përgjithshme.

Drejtor Proda diskutoi me nxënësit mbi rëndësinë, imazhin dhe funksionin shumëdimensional të punonjësve të Policisë, në shoqëri. Gjithashtu, bëri me dije se ciklet e studimit në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shtetit janë një mundësi e artë për nxënësit që mbarojnë gjimnazin, për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit dhe në këtë mënyrë për t’i shtuar një mision të ardhmes së tyre.

Gjatë vizitës në DPPSh nxënësit shfaqën kuriozitet dhe drejtuan pyetje mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit, kryesisht të drejtorive dhe sektorëve që merren me hetimin e krimeve kibernetike, teknologjinë e informacionit, komandimin dhe drejtimin, sigurinë rrugore, si dhe me marrëdhënien me median dhe me qytetarët.

Drejtuesit e këtyre strukturave shoqëruan nxënësit gjatë vizitës dhe iu përgjigjën me kënaqësi pyetjeve të tyre.

Aktivitete të tilla, në kuadër të 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, po zhvillohen paralelisht në drejtoritë e Policisë në 12 qarqet.