Shtohen masat për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimit civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, bazuar në Ligjin “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, Urdhrit të MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, urdhrit të përbashkët të MB, MM dhe MFE “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, si dhe në telegramin e DPPSH “Për zbatimin e kërkesave të rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, kanë ushtruar kontrolle në vijimësi për këtë qëllim.
Si rezultat i kontrolle të pandërprera, muajt e fundit janë proceduar penalisht 4 shtetas, të cilët tregtonin kapsolla zeus dhe fishekzjarrë, një nga këto raste është evidentuar në Tiranë, ku shtetasi A. A. është proceduar penalisht nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Vetëm javën e fundit në të gjithë vendin janë kontrolluar 334 subjekte (dyqane të ndryshme, makete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës, ku janë konstatuar mallra fishekzjarrë apo lëndë piroteknike.
Duke qene se po afron festa e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri 2020, me qëllim krijimin e mjedisi të sigurt për qytetarët, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar te gjitha strukturave vendore të Policisë zbatimin e disa detyra shtesë, të cilat konsistojnë në:
Ushtrimin e kontrolleve çdo ditë për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuar dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse tregtojnë ato sipas përcaktimeve “Artikujt të lejuar e të ndaluar”.
Kontrollin për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në funksion të parandalimit të shkeljeve dhe ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin, si dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shkelin rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.
Shërbimet e kontrollit të territorit, duke filluar nga ndihmësspecialistët e Policimit në Komunitet/SPZ, Patrullat e Përgjithshme, ndihmësspecialistët për kontrollin e armëve, të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, të bëjnë dokumentim dhe bllokimin e tyre.
Strukturat vendore të Policisë të hartojnë dhe zbatojnë plane inspektimi të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), për kontrollin, verifikimin dhe zbatimin e rregullave të magazinimit, tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve nga subjektet e licencuara.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.