Kontrolle intensive në pikat e kontrollit të kalimit kufitar, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe strukturat hetimore vendore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, janë goditur 3 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Në Kapshticë, Morinë dhe Muriqan janë sekuestruar 127.500 euro dhe 2 radio si ato të Policisë.
Procedohen penalisht 2 shtetas të huaj dhe 1 shtetas shqiptar, që nuk i deklaruan shumat monetare në kufi.
Në vijim të kontrolleve të përbashkëta të Policisë Kufitare me strukturat hetimore vendore dhe ato doganore, bazuar në informacionet e marra në analizën e riskut u bë e mundur që:
Në Morinë të sekuestrohen 53.600 euro, në hyrje të RSH-së, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin D. D, 35 vjeç, banues në Rumani;
Në Muriqan të sekuestrohen 40.000 euro, në hyrje të RSH-së, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin C. B., 37 vjeç, banues në Rumani. Në automjetin e këtij shtetasi janë gjetur edhe 2 radio si ato që përdor Policia.
Në Kapshticë të sekuestrohen 33.900 euro, në dalje të RSH-së, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin K. Xh., 40 vjeç, banues në fshatin Zavalinë, Elbasan.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtoritë Vendore të Policisë Kukës, Shkodër dhe Korçë janë proceduar penalisht shtetasit D. D., C. B. dhe K. Xh., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet i kaluan Prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.