Policia e Shtetit-Masa të shtuara në fundjavë për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, mbrëmjen e djeshme inspektoi shërbimet e Policisë së kryeqytetit, për të parë nga afër zbatimin e masave dhe punën që po bën Policia në këtë drejtim.

Drejtor Veliu gjatë inspektimit në “Ish-Bllok” dhe zona të tjera të Tiranës, u ka kërkuar drejtuesve të DVP Tiranë, masa më të shtuara në fundjavë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nisur nga shtimi i rasteve, Drejtor Veliu ka theksuar gjatë komunikimeve me punonjësit e Policisë në terren se duhet një impenjim më i madh i Policisë në fundjavë, duhet të ushtrohen kontrolle të herëpashershme në lokale dhe kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde, parqe e në çdo ambient publik dhe duhet ndëshkuar me gjobë cilindo që nuk respekton masat dhe protokollet e sigurisë.

Duke marrë parasysh festën e Halloween-it, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar të gjitha strukturat në të gjitha qarqet që të marrin masa për të mos lejuar organizime e festime, pasi janë burim potencial për të përhapur virusin COVID-19.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe 2, si dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë vendosur 85 masa me vlerën 3.000 lekë secila për të rinjtë që qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u vendosën 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë secila, për tre administratorë të lokaleve që gjatë kontrolleve pas orës 20:00, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar me muzikë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë.

Policia e Shtetit apelon për respektim të masave anticovid dhe u bën thirrje prindërve që të mos lejojnë fëmijët e tyre të grumbullohen në festime në lokale, në kundërshtim me këto masa. Njëkohësisht, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.