Policia e Shtetit, gjatë muajit janar 2025
Punë intensive hetimore dhe operacionale, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me homologët, për të goditur krimin në përgjithësi, krimin e organizuar në veçanti, si dhe për të zbardhur ngjarjet kriminale.
Gjatë muajit janar 2025:
-janë finalizuar 121 operacione policore;
-janë zhvilluar 19 operacione ndërkombëtare, të cilat mundësuan ekstradimin e shtetasve të shumëkërkuar, goditjen e grupeve/organizatave kriminale, si dhe kapjen e shtetasve të akuzuar/dënuar për krime kundër personit dhe/ose krime ekonomike;
-janë vënë në pranga 715 shtetas, për vepra të ndryshme penale;
-janë sekuestruar:
35 armë zjarri, 100 kg Cannabis,
3.8 kg Kokainë, sasi Heroine, fara Cannabisi, 5 granata dhe municion luftarak;
-iu është dhënë ndihmë 19 qytetarëve që u gjendën në vështirësi, në malin e Tomorrit, Ersekë dhe Karaburun.
Më tej, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, është parandaluar përshkallëzimi i 7 konflikteve me armë ose me sende të forta, në Durrës, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Mirditë dhe Shkodër.
Po si rezultat i rritjes së forcës parandaluese, u goditën 17 raste të armëmbajtjes pa leje. Goditjet parandaluan ngjarje kriminale që mund të kryheshin nga shtetasit që u kapën në lëvizje, me armë zjarri.
Hetime të thelluara dhe profesionale zbardhën 11 ngjarje kriminale që përfshijnë: vrasje, plagosje me armë zjarri, konflikte me sende të forta, shkatërrime të pronës me eksploziv dhe zjarrvënie të qëllimshme.
Gjithashtu, gjatë këtij muaji, janë finalizuar 17 operacione policore, me objektiv parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të kryera më parë. Disa nga këto ngjarje kriminale u kryen duke përdorur dhunë dhe armë.
U goditën 13 raste të kontrabandës. Në 2 raste, Policia goditi në portin e Durrësit, kontrabandimin nga Tunizia, të 1 070 000 tonëve naftë.
Më tej, u finalizuan 20 operacione policore për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në lokale, me celularë ose me makineta.
Strukturat e specializuara për hetimin e krimeve kibernetike:
-kontribuan për zbardhjen e vrasjes së kryer në fshatin Dragoç, Shkodër;
-parandaluan një fushatë mashtrimi nëpërmjet disa mesazheve elektronike të maskuara;
-çuan përpara drejtësisë shtetas që kanosën në rrjete sociale ose kryen transaksione, duke keqpërdorur kredencialet e të tjerëve.
Në Tiranë dhe në Elbasan, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare zbuluan 3 call centera, nëpërmjet të cilave mashtroheshin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.
Shuma të mëdhaja parash (në disa valuta) iu sekuestruan 2 shtetasve në Pogradec, me akuzën e pastrimit të parave.
Gjithashtu, kontrollet në të gjitha pkk e vendit goditën 6 raste të tentativave për të levizur para, ilegalisht.
Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjithashtu, punë intensive është kryer për të menaxhuar fluksin e fillimit të vitit, si dhe për të asistuar shtetasit që u gjendën në nevoja të ndryshme në qarkullim, si pasojë e motit me reshje të dendura shiu dhe/ose dëbore.
Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:
-janë vënë në pranga 169 drejtues mjetesh, nga të cilët 137 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 32 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
-janë pezulluar 202 leje drejtimi, nga të cilat 16 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 15 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 171 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
Gjatë këtij muaji edhe Policia Kufitare ka patur angazhim të shtuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë për fluksin e qytetarëve në hyrje/dalje, si dhe për të garantuar qarkullimin e sigurtë të mallrave.
Për të përmbushur këto qëllime, shërbimet e Policisë Kufitare kanë goditur:
68 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit;
16 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin;
6 raste të trafiqeve.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të vijuar operacionet dhe aksionet policore, me qëllim nxjerrjen përpara drejtësisë të shtetasve që përbëjnë rrezik për sigurinë publike.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit fton qytetarët që të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushen misionet madhore, garantimi i rendit publik dhe zbatimi i të drejtave të qytetarëve.
#Janar2025
#bashkëpunomePolicinë ️ ️
#kundërkrimit
#sëbashkupërsigurinë