Policia e Shtetit, gjatë muajit dhjetor 2024
Shërbimet e Policisë 24/7 në terren, kontrollet e pandërprera, administrimi i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimi me qytetarët, kanë parandaluar ngjarje kriminale kundër personit dhe kanë goditur raste të veprimtarive kriminale në të gjitha fushat, gjatë këtij muaji.
Gatishmëri e përforcuar e Policisë së Shtetit, për periudhën e festave, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjen e aktiviteteve, lehtësimin e hyrjeve/daljeve në kufi dhe të qarkullimit të automjeteve.
Gjatë muajit dhjetor 2024, Policia ka finalizuar 70 operacione dhe ka vënë në pranga 710 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu, u kapën dhe u vunë në pranga 10 shtetas që ishin në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë këtyre operacioneve, u sekuestruan 32 armë zjarri, 308 kg cannabis sativa (rreth 2 kg e ndarë në mijëra doza), 3,5 litër vaj cannabis sativa, rreth 5,65 kg kokainë, 300 tableta ekstazi dhe 30 doza të lëndës narkotike “Cookies”, 1 057 840 tableta dhe mjete të tjera që shërbejnë për përpunimin e lëndëve narkotike dhe ndarjen e tyre në doza, si dhe shuma parash të përfituara nga shitja e tyre.
Gjithashtu, janë konfiskuar 21 pasuri të paluajtshme, 5 shoqëri tregtare dhe 2 automjete, si dhe janë sekuestruar 1 apartament dhe 3 automjete, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale ose korrupsioni aktiv/pasiv i disa shtetasve.
Ndërhyrja në kohë dhe veprimet profesionale të shërbimeve të Policisë, parandaluan 4 ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe përshkallëzimin e 3 konflikteve të çastit.
Një operacion i zhvilluar nga DVP Vlorë goditi raste të trafikimit nga Ukraina, të personave të rritur, me qëllim shfrytëzimin për të kryer veprimtari të kundërligjshme në Shqipëri. 4 pjesëtarë të rrjetit të trafikimit u vunë në pranga, 1 tjetër u shpall në kërkim.
Një operacion i përbashkët me homologët e Kosovës dhe me mbështetjen e agjencive ndërkombëtare, goditi veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit. Në kuadër të operacionit, u vunë në pranga 24 shtetas, si dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municion luftarak, në Shqipëri dhe në Kosovë.
6 operacione të tjera goditën armëmbajtjen pa leje. Shtetasit që qarkullonin me armë zjarri, i mbanin ato në banesë apo në automjet, u vunë në pranga.
Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, janë zhvilluar 22 operacione. 2 prej tyre goditën veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndës narkotike nga SHBA dhe Tajlanda, në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Nga dy operacionet, u sekuestruan 4 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH.
Një operacion zbuloi rreth 140 cannabis sativa në trajtë boçesh, në një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa në rastet e tjera u godit veprimtaria kriminale e shitjes së lëndë narkotike në doza, në të gjithë vendin.
4 operacione goditën veprimtarinë kriminale të prostitucionit, ndërsa 1 goditi veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Falë punës profesionale hetimore u zbardhën autorësia e shpërthimit me lëndë eksplozive në një banesë dhe në 2 subjekte, djegia e qëllimshme e 2 automjeteve dhe vrasja e një shtetasi, që paraprakisht u dyshua vdekje nga shkaqe aksidentale.
Gjithashtu, u zbardhën 63 raste të vjedhjes, 8 prej tyre të kryera me dhunë ose me anë të kanosjes me mjete prerëse.
Në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare u zhvilluan 18 operacione. Një operacion u zhvillua kundër evazionit fiskal, ndërsa një tjetër goditi piraterinë televizive.
Në 50 raste u godit veprimtaria e kundërligjshme e lojera të fatit, që ushtrohej në lokale të përshtatura për këtë veprimtari dhe në ambiente të tjera. Nga këto ambiente u sekuestruan 4 pajisje kompjuterike, 5 makineta, 4 tavolina, 120 celularë që përdoreshin për lojëra fati dhe shuma parash të përfituara nga këto lojëra.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë periudhës së festave, u goditën 20 raste të shitjes së lëndëve piroteknike dhe të mallrave të kontrabanduara. Qindra fishekzjarrë dhe kapsolla u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të fushatës mbarëkombëtare “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” dhe Paketës për Sigurinë në shkolla, u zhvilluan aktivitete sensibilizuese dhe informuese në të gjitha shkollat e vendit.
Policia Rrugore ka vijuar kontrollet dhe monitorimet intensive, në të gjitha akset e vendit, duke përdorur mjetet logjistike inteligjente që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës. Gjithashtu, gjatë këtij muaji, për shkak të reshjeve të shiut dhe të dëborës, Policia Rrugore ka rritur gatishmërinë në disa akse të vendit, për të orientuar lëvizjen, për të informuar dhe për të ofruar ndihmë kur ka qenë e nevojshme.
Si rezultat i monitorimit me shërbime dhe me pajisje inteligjente:
Janë vënë në pranga 212 drejtues mjetesh, nga të cilët 124 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 88 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Si rezultat i monitorimit të qarkullimit me mjetet inteligjente shpejtësimatës janë vendosur 92 243 masa administrative për shpejtësi tej normave të lejuara, që kanë masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit dhe zbritjen e pikëve nga leja e drejtimit.
Gjithashtu, janë pezulluar 191 leje drejtimi, 11 për drejtim mjeti në efektin e pijeve alkoolike dhe 180 leje drejtimi, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.
Si rezultat i punës dhe angazhimit për përmbushjen e këtyre objektivave, janë goditur 35 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 13 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijtë dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike. Gjithashtu, janë goditur 6 raste të mosdeklarimit të parave dhe janë sekuestruar 357 000 euro, 39 000 franga zvicerane dhe 900 paund.
Policia e Shtetit do të vijojë hetimet, operacionet dhe aksionet e tjera policore, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të kryera më parë, ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Ftojmë aleatët kryesorë të Policisë, qytetarët, që të denoncojë në njësitë fizike të Policisë ose në numrin pa pagesë 112, çdo paligjshmëri që hasin.